Albina Selmanaj
Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje neurodegjenerative me një evolucion të ngadaltë, por progresiv, i cili kryesisht përfshin disa funksione të tilla si kontrolli i lëvizjeve dhe ekuilibrit.
Sëmundja është pjesë e një grupi të sëmundjeve të quajtura “çrregullime të lëvizjes” dhe ndër këto është më e shpeshta.
E që nga kjo sëmundje kemi të prekur edhe në Kosovë e konfirmoi neurologu, Adnan Biqku në një intervistë për Familjajonë, i cili tha se në bazë të përhapjes së sëmundjes në rajon dhe ne vendet e tjera në botë, brenda vendit janë diku rreth tre mijë pacientë që vuajnë nga Parkinsoni.
“Në Kosovë llogaritet të ketë rreth tre mijë pacientë të prekur me këtë sëmundje dhe atë shumica të moshës mbi 55 vjeç edhe pse kjo sëmundje mundë të shfaqet edhe në moshën 40 vjeçare e madje edhe në raste te rralla edhe në moshë edhe më të re. Numri i të semureve është llogaritur në bazë të prevalencës së sëmundjes se si është në rajon po edhe në vendet e tjera nëpër botë. Gjithkund është mbi 150 në 100000 banorë.”, shtoi Biqku.
Tutje, gjatë intervistës Biqku tregoi edhe për shkaqet e kësaj sëmundje të cilat janë të panjohura, por që gjithsesi ndërveprimi i tyre vjen edhe nga faktorët gjenetik edhe ata ambiental.
“Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje idiopatike(me shkaqe të panjohura)por gjithësesi kemi të bëjmë me një ndërveprim të faktorëve gjenetik dhe atyre ambiental ose të rrethit(toksinat e ndryshme, agjentët infektiv etj) ndërsa herediteti ose trashëgimia është vërejtur vetëm në 10% të rasteve.”, tregoi Biqku.
Sipas neurologut, simptomat e kryesore të kësaj sëmundje përfshijnë: Tremorin ose dridhjen e duarve në qetësi, Rigorin i cili ka të bëjë me një rritje të tonusit të muskujve të ekstremiteteve,qafës dhe trupit që ka të bëjë me humbjen e elasticitetit të muskujve dhe Bradikinezia ose ngadalësimi i lëvizjeve është një nga simptomat kryesore të Sëmundjes së Parkinsonit,pacienti është i ngadalësuar në kryerjen e të gjithave aktiviteteve si dhe karakteristike është ecja me hapa të vegjël.
Por, se sa dinë shoqëria kosovare rreth sëmundjes së Parkinsonit, Biqku tha se njohurit e tyre janë të pakta.
Që sipas tij emisionet edukative në televizione dhe mjetet e tjera të informimit do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e shoqërisë mbi këtë sëmundje.
“Kjo sëmundje njihet më shumë nga dridhja e duarve se nga shenjat e tjera të sëmundjes. Ne përgjithësi njohurit në popullatë për këtë sëmundje janë të nivelit shumë të ulët, ndoshta nevojitet të ketë më shumë emisione edukative në televizione dhe mjete të tjera të informimit të përgjithshëm, një rol të rëndësishëm mundet ta luaj mjekësia familjare në edukimin e drejtpërdrejt të popullatës, veçanërisht të moshave të shtyra që të njihen me të gjitha aspektet e kësaj sëmundje”, përfundoi Biqku.
Ndryshe, sëmundja e Parkinsonit u përshkrua për herë të parë në vitin 1817 nga mjeku britanik Dr. Xhejms Parkinson.