Sht, Nën 9, 2024
Banner Top
Banner Top
Rrëfimi i Arnisa Osmanit: Gruas gur që e mposhti sëmundjen e kancerit

Albina Selmanaj

Pas kësaj lufte të gjatë dhe të vështirë me kancer, ndihem e lehtësuar dhe më e fuqizuar se kurrë”, janë fjalët me të cilat Arnisa Osmani po fillon një kapitull të ri në jetën e saj, pas një beteje të gjatë dhe sfiduese që pati me sëmundjen e kancerit në gji. Këto fjalë përshkruajnë udhëtimin e saj të dhimbshëm dhe të vështirë, por më së shumti tregojnë për triumfin që ka arritur kundrejt kësaj sëmundje.

Megjithatë, për të arritur deri në këtë pikë, Osmani përjetoi momente të vështira që kërkonin një forcë të jashtëzakonshme për t’u përballur. Momenti i marrjes së lajmit për kancerin ishte si një goditje që ia ndali kohën. “Ishte sikur gjithë bota ime u ndal,” rrëfen ajo, duke përshkruar një ndjenjë të frikës dhe pasigurisë që e përshkoi të tërën.

Momenti kur mora lajmin për kancerin në gji ishte sikur gjithë bota ime u ndal. Ndjeva frikë dhe pasiguri, dhe pyetjet më vinin pa fund, por asnjëherë nuk më shkoi në mendje të pyesja “Pse unë?”. E pranova menjëherë si një betejë që duhej të përballoja. Mendja ime ishte e përqendruar te sfida dhe si të ecja përpara, jo te vetë dyshimet.”, rrëfen Osmani.

Pavarësisht kësaj vendosmërie, dhimbja e vërtet erdhi atëherë kur Osmani u përballë me ndryshimet që kanceri dhe trajtimet e tij i shkaktuan trupit të saj. “Kur e pashë veten në pasqyrë për herë të parë, pa gji dhe pa flokë, ishte momenti më i vështirë gjatë trajtimit tim,” kujton ajo. Ishte sikur çdo pjesë e vetes që ajo e njihte po zbehej para syve të saj. Më e keqja ishte se, përtej sfidave fizike, komentet e papërgatitura të disa njerëzve ia thelluan edhe më shumë dhembjen.

Më shumë se asgjë tjetër, mbështetja e nënës dhe e njerëzve të dashur më ndihmoi të kapërcej këto momente të errëta. Ato më kujtonin se vlera ime nuk përcaktohej nga pamja ime e jashtme, por nga forca dhe qëndresa ime brenda. Kështu, dita pas dite, fillova të pranoja ndryshimet dhe të ndihesha më e fortë, duke kuptuar se bukuria e vërtetë është shumë më tepër se ajo që shohim në pasqyrë.”, shtoi ajo.

Përkundër gjithë këtyre sfidave dhe përjetimeve, Osmanin gjatë këtij rrugëtimi rraskapitës e mbanin më të dashurit e saj, veçanërisht nëna e saj, Hadija  e cila nuk e la asnjëherë vetëm, duke qenë burim i përhershëm i kurajës dhe dashurisë për të gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

“Nëna ime, Hadija, ishte pranë meje në çdo hap, më dha një dashuri të pamasë dhe kujdes të pandërprerë. Çdo fjalë e saj, çdo përqafim, më rikthente forcën kur ndihesha e dobët. Miqtë e mi, gjithashtu, ishin aty për të më kujtuar se nuk isha vetëm në këtë luftë. Nëna ime, Hadija, ka qenë shtylla ime më e madhe. Ajo më ka dhënë gjithmonë kurajo dhe mbështetje të palodhur, duke më kujtuar që çdo ditë ishte një hap më afër shërimit. Kujdesi i saj i pakushtëzuar dhe përkushtimi i saj më dhanë forcën të përballoja çdo trajtim dhe sfidë me më shumë qëndrueshmëri.”, u shpreh Osmani.

Miqtë e saj gjithashtu luajtën një rol të pazëvendësueshëm gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ata ishin aty kur ajo kishte më shumë nevojë, duke e mbështetur jo vetëm me fjalë , por edhe me praninë e tyre të vazhdueshme.

Familja dhe miqtë kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në udhëtimin tim drejt shërimit. Ata ishin forca ime e padukshme, mbështetja që më mbante në këmbë edhe në ditët më të errëta. Nëse e përballova këtë sfidë të vështirë, është sepse kisha një rrjet të fuqishëm mbështetjeje. Familja dhe miqtë më dhanë forcën që ndonjëherë më mungonte vetë dhe më kujtuan çdo ditë se kjo luftë nuk ishte vetëm e imja – ishte një betejë që po e përballonim së bashku”, shtoi ajo.

Por momenti që i dha fund gjithë kësaj katrahure ishte kur Osmani mori lajmin që e kishte pritur për shumë kohë… “Kur doktor Ilir Kurtishi më tha se isha ‘cancer free‘, çdo gjë ndaloi për një çast, kujton Osmani.

Për të dëgjuar ato fjalë, “Nuk je më paciente dhe ne Onkologji mund të bësh vetem të vizitosh pacientet ( siq kam bere kohe pas kohe)”, ishte si të hiqje një barrë të rëndë nga supet e mia. Të gjitha shqetësimet dhe frikërat që kishin kaluar gjatë trajtimit u shndërruan në një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe gëzimi. E ndjeva se çdo sakrificë dhe çdo moment vështirësie kishte vlejtur”, u rrëfye ajo.

Pas marrjes së lajmit se ishte shëruar nga kanceri, Osmani përshkroi emocionet e forta që ndau me nënën e saj, moment që shënon edhe fundin e një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, duke i dhënë asaj dhe nënës së saj mundësinë të ndihen të çliruara nga barra e sëmundjes

Lotët e gëzimit filluan të rrjedhin në fytyrën e saj, dhe unë ndjeva se sa shumë e kishte vuajtur për mua. Ishte një moment i mbushur me dashuri, përqafoheshim dhe ndiheshim të lirë nga ngarkesa që kishim pasur për kaq gjatë. E dija se ajo kishte kaluar shumë natë pa gjumë duke u shqetësuar për mua, dhe tani e dija që ajo mund të relaksohej dhe të ndihesh e lumtur.Ky moment gjithashtu forcoi lidhjen tonë, duke na kujtuar se sa e rëndësishme është të jemi të bashkuar në momente të vështira. E gjitha kjo na bëri të kuptojmë se cila është vlera e shëndetit dhe e dashurisë familjare“, përfundoi Osmani.

Në fund, rrugëtimi i saj me kancerin i dha Osmanit disa nga mësimet më të mëdha të jetës.. Çdo ditë për të tani ka një kuptim të veçantë; ajo e përqafon jetën dhe ndjehet mirënjohëse  për çdo moment. E përqendruar jo më te frika, por te dashuria dhe ndihma për të tjerët,

Së pari, kam mësuar se forca e brendshme është shumë më e madhe se sa mund ta imagjinojmë. Në momentet kur mendoja se nuk kisha më energji për të vazhduar, zbuloja se gjithmonë kishte diçka brenda meje që më shtynte përpara. Së dyti, kam kuptuar vlerën e kohës dhe të jetës në çdo moment. Tani, çdo ditë ka një kuptim të veçantë për mua. Në fund, kjo përvojë më ka mësuar se jeta është e paparashikueshme, por ajo që ka rëndësi është si i përballojmë sfidat. Tani, jetoj me një ndjenjë më të thellë mirënjohjeje, më pak frikë dhe më shumë fokus te çfarë është me të vërtetë e rëndësishme.”, u shpreh ajo.

Arnisa Osmani, një luftëtare që nuk u dorëzua kurrë, sot i dedikohet mbështetjes së të tjerëve që që çdo ditë ballafaqohen me sëmundjen e kancerit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë