Klinika e Radiologjisë ka prekur shifra rekorde të ofrimit të shërbimeve mjekësore për pacientët në vitin 2020, ndonëse në kohë të pandemisë COVID-19, kur shumica e shërbimeve ishin kufizuar në QKUK, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit.
Gjatë kësaj kohe, janë realizuar më tepër se 80 mijë radiografi, më shumë se 21 mijë tomografi të kompjuterizuara dhe mbi 1.400 angjiografi me tomografi të kompjuterizuara, transmeton Indeksonline.
Duke marrë për bazë raportin vjetor të punës, me angazhimin e personelit shëndetësor, në Klinikën e Radiologjisë janë kryer edhe 9.800 rezonanca magnetike, 1.700 mamografi dhe më shumë se 15 mijë ultrazëra.
Në periudhën 12- mujore të vitit të shkuar, gjithashtu, janë bërë 32 DSA (Angiografi Digjitale Subtraksionale), 395 biopsi dhe, për herë të parë në historinë e shëndetësisë kosovare, me trombektomi mekanike janë trajtuar 5 pacientë, me infarkt të freskët iskemikë në tru dhe janë kthyer nga invaliditeti brenda 6 orëve të para.