Enj, Sht 12, 2024
Banner Top
Banner Top
Sfidat radiologjike të diagnozës së COVID-19 dhe riinfektimi

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

COVID-19, që prej kohës kur është paraqitur në botë, është karakterizuar edhe me shumë të panjohura rreth dëmëve që shkakton ai në organizëm. Përvec faktit se është vdekjeprurës, ky virus mund të rikthehet sërish tek i njëjti person.

Sigurisht, rastet e riinfektimit me koronavirus janë jo shumë të shpeshta, por është e rëndësishme të dihet se cilat kategori janë më të rrezikuara nga riinfektimi.

I kontaktuar nga Familja Jonë, specializanti i Radiologjisë, Dr.Flamur Lahu, tregon se ka raste të riinfektimit me COVID-19, por riinfektimi varet nga disa faktorë, sic janë: stili i jetesës, konsistucioni fizik i personit, imuniteti etj.

“Po, janë shënuar raste të riinfektimit. Kjo natyrisht varet nga shumë faktorë: imuniteti, mënyra e dertjes së sëmundjes, konstitucioni fizik i personit, stili i jetesës e shumë gjëra tjera. Në këtë kuptim, më shumë rëndësi ka titri i antitrupave që lë sëmundja pas shërimit. Pacientët me titër të lartë kanë gjasa më të vogla të riinfektimit, së paku brenda një periudhe kohore më të shkurtër. Në planin afatgjatë ende nuk ka kaluar kohë e mjaftueshme që të mund të vlerësohet gjendja”, shpjegoi ai për Familja Jonë.

Lahu gjithashtu foli edhe për metodat radiologjike të identifikimit të COVID-19, efikasitetin e radiologjisë në identifikimin e virusit etj.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë.

Sa është efikase Radiologjia në identifikimin e hershëm të COVID-19?

Nga përvoja me pacientë, duhet thënë se ndryshimet radiologjike nga infeksioni me COVID-19, zakonisht janë paraqitur pas një periudhe infektimi. Periudha ka treguar variacione, megjithatë nëse flasim me përqindje atëhere shumica kryesisht pas ditës 5 nga koha e fillimit të ankesave.

A është i vështirë identifikimi i koronavirusit përmes Radiologjisë kur ai është ende në fazën fillestare të shfaqjes?

Në mjekësi, asnjë ekzaminim, qoftë laboratorik, qoftë imazherik nuk mund të zëvendësojë anamnezën e mirë nga pacienti. Rrjedhimisht, ekzaminime radiologjike realizojnë vetëm pacientët që kanë indikacione për imazheri. Sa i përket diagnostikimit, nuk ka qenë sfidë e vështirë diagnostike COVID-19. Por, ajo që është interesante, kanë qenë rastet të cilët kanë qenë klinikisht jo mirë e nga ana tjetër nuk kanë pasur ndryshime të theksuara radiologjike.

 Si diagnostifikohet COVID-19 përmes radiologjisë?

Metodat radiologjike të diagnostikimit të COVID-19 kanë qenë radiografia native torakale, Tomografia e kompjuterizuar dhe ultrazëri i pjesës bazale të mushkërive për të vlerësuar nëse pacienti ka grumbullim të lëngut në hapsirën pleurale. Në radiografi native shihen ndryshimet karakteristike, prandaj metoda e TK nuk ka qenë e nevojshme të realizohet shpesh. Kjo e fundit më shumë ka shërbyer për vlerësimin e shërimit dhe mënyrës së shërimit, se a ka lënë pasoja fibrotike infeksioni.

Cila metodë radiologjike është më efikase në identifikimin e virusit?

Siç besoj e di edhe opinioni i gjerë, disa nga ekzaminimet radiologjike shkaktojnë rrezatim të pacientit. Në proces të diagnozës, kur vendosim për një metodë diagnostike, gjithmonë i peshojmë të mirat dhe dëmet që një ekzaminim radiologjik i shkakton. Në këtë kuptim, metodë efikase dhe me më pak rrezatim është radiografia native e organeve torakale. Prandaj edhe kjo realizohet më së shpeshti. Mund të ketë raste, kur ndryshimet nuk duken shumë të qarta në native dhe duhet të realizohet TK. Zakonisht, këta pacientë janë që kanë edhe ndonjë problem shëndetësor shtesë që e vështirëson diagnozën definitive.

 A ka pasur ndonjë rast kur pacientët janë orientuar në Radiologji për të parë nëse janë të infektuar me koronavirus, pa e kryer testin?

 Kjo dukuri është jo e shpeshtë, fatmirësisht. Megjithatë, një dukuri tjetër ka qenë prezente. Rastet kur pacienti është testuar për real time PCR-COVID-19, ka rezultuar negativ, por që pacienti ka pasur ende ankesa dhe simptome tipike të COVID-19. Shumica e këtij grupi të pacientëve kanë pasur ndryshime karakteristike për COVID-19.

Me aq sa dini, a ka pasur persona nga personeli mjekësor në Radiologji të infektuar me koronavirus?

Po. Ashtu si thuajse të gjithë puntorët tjerë shëndetësorë, edhe personeli i Radiologjisë ka pësuar nga COVID-19. Madje kjo mund të konsiderohet si sëmundje profesionale sepse infektimet kanë qenë kryesisht si pasojë e punës me pacientë të infektuar.

 Sa është i mundshëm riinfektimi me koronavirus?

Po, janë shënuar raste të riinfektimit. Kjo natyrisht varet nga shumë faktorë: imuniteti, mënyra e dertjes së sëmundjes, konstitucioni fizik i personit, stili i jetesës e shumë gjëra tjera. Në këtë kuptim, më shumë rëndësi ka titri i antitrupave që lë sëmundja pas shërimit. Pacientët me titër të lartë kanë gjasa më të vogla të riinfektimit, së paku brenda një periudhe kohore më të shkurtër. Në planin afatgjatë ende nuk ka kaluar kohë e mjaftueshme që të mund të vlerësohet gjendja. 

Në fund, shfytëzoj rastin të falënderoj shumë dhë të shpreh mirënjohjen për Dr. Bujar Gjikollin, Drejtor i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Prof.Dr. Kreshnike Dedushi-Hoti dhe Prof. Dr. Serbeze Kabashi-Muçaj për pritjen shumë të ngrohtë, shumë dashamirëse dhe për ofrimin në dispozicionin tonë të kohës, mundit dhe kapaciteteve të Klinikës së Radiologjisë për ngritjen profesionale për të gjithë specializantët e Radiologjisë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë