Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Pritshmëritë dhe organizimi – Gjithcka rreth aktivitetit “Shliroji cicat” që kishte për qëllim ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit

Përmes një forme krejtësisht ndryshe, të shoqëruar me një moto jo të përdorur më parë, artistja Ermira Murati (orange girl) ndërmori një nismë për t’u dalë në ndihmë grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit. Përveç si një aktivitet që synon ndihmën dhe ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje, “Shliroji cicat” thërret edhe për “çlirim” nga dogmat shoqërore dhe ndikimit patriarkal ndaj grave.

Aktiviteti në fjalë ka të bëjë me dhurimin e sytjenave nga gratë me qëllim që, përmes sytjenave, të krijohen çanta dhe të shiten për t’u ndihmuar grave të prekura nga kanceri i gjirit.

E kontaktuar nga Familja Jonë, ideatorja e këtij organizimi, Ermira Murati, tregon më shumë rreth asaj se si u prit ky aktivitet dhe sa ia arriti qëllimit për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje.

“Si organizim i parë dhe një mënyrë e re e qasjes drejt njerëzve, mund të përballet me hezitime për t’u bërë pjesë e aktivitetit, por një gjë është e sigurt – vetë titulli “Shliroj Cicat” dhe mënyra e organizimit, përveç faktit se është diçka që njerëzit nuk janë mësuar ta shohin, tërheq vëmendje jashtëzakonisht të madhe të të dy gjinive e të gjithave moshave. Prandaj, duke u bazuar mbi këtë ide dhe sigurisht duke i parë shifrat në rrjete sociale, mendoj se ia ka arritur qëllimit që, të paktën, t’ua fus në mendje publikut kancerin e gjirit dhe faktin se është i rrezikshëm. Edhe atyre që më herët nuk e kanë konsideruar si të rëndësishëm e as të rrezikshëm”, theksoi ajo.

Meqenëse aktiviteti tashmë ka përfunduar, pas tij vjen krijimi dhe shitja e çantave. Murati thekson se aktualisht është duke biseduar me një kompani profesionale që merret me riciklimin e rrobave dhe po pritet që ky proces të fillojë shumë shpejt.

“Kur një aktivitet si ky realizohet pa mbështetje financiare, atëherë duhet të mundohesh që të gjesh kompromise e zgjidhje kreative për çdo shërbim që duhet – nuk është se mund t’i ofrohesh një kompanie, t’i tregosh sa ke financa e t’u thuash t’ia fillojnë punën, por duhet ca kohë koordinim dhe diskutim që të gjindet një që e njeh vlerën dhe mesazhin e aktivitetit dhe që janë të gatshëm të ndihmojnë duke i ditur kushtet. Për këtë arsye, jam duke komunikuar me disa kompani që merren me riciklim ndërsa e kam identifikuar një më profesionalen prej tyre dhe jam duke punuar të takohem e të gjejmë gjuhë bashkëpunimi për t’ia filluar riciklimit që besoj se do të jetë shumë shpejt”.

Ajo tutje rithekson se mjetet e fituara nga shitja e çantave do të shkojë tërësisht në ndihmë të grave dhe vajzave me kancer. Si forma të ndihmës ndaj tyre ajo po i konsideron dy: t’u dhurohen organizatave që punojnë për gratë e prekura nga kanceri, ose t’u blihen paruke grave që janë të prekura me kancer e që nuk kanë mundësi për t’i blerë ato. Sipas saj, kjo e dyta është më e mundshme të realizohet.

“Për këtë janë disa ide; nuk kam marrë ndonjë mbështetje nga organizata që punojnë me gratë me kancer në gji, por fillimisht e kam menduar që fondet ose t’u dhurohen atyre ose së bashku të gjejmë ndonjë grua për t’i dhuruar ndihmë; dhe një ide tjetër është për blerjen e parukeve për gratë që trajtohen për kancerin në gji në departamentin përkatës në QKUK e që nuk kanë mundësi t’i blejnë ato pasi që kjo është një pjesë e rëndësishme e paraqitjes së tyre dhe mund të ketë komplikime të tjera të jetës të tyre pas kancerit për shkak të mungesës se vetëbesimit. Gjithsesi, më shumë mendoj për të dytën por mbetet të vendoset saktësisht pas mbledhjes së fondit final”, shtoi ajo.

Përkundër që motoja dhe ideja e aktivitetit kanë pasur shpjegime të mjaftueshme, prapëseprapë kjo nismë nuk shpëtoi pa ngjallur debate. Murati tregon se fillimisht motoja u perceptual si dicka negative kur u shpalos në rrjete sociale. Tutje ajo shpjegon se këto reagime ndaj motos ishin kryesisht nga gjinia mashkullore.

Anipse u shoqërua me kritika, siç thekson Murati, në vazhdën e aktivitetit pati shumë djem e burra të interesuar për aktivitetin

“Mendoj se mund ta bëjmë dallimin mes asaj se si është pritur dhe a është kuptuar. Prej disa fjalëve negative sa ishin online për emrin, pjesa dërrmuese kanë qenë të gjinisë mashkullore dhe kanë qenë ata që e kanë filluar debatin për këtë pjesë. Ndërsa ka pasur mjaftueshëm material dhe shpjegim që edhe ata ta kuptojnë mesazhin e aktivitetit dhe simbolikën e motos. Në zbatimin e aktivitetit, ka pasur një numër të madh të meshkujve që janë interesuar për temën dhe të gjithë prej tyre pajtoheshin me të. Për më tepër, nuk mendoj se vetëdijesimi për kancerin e gjirit duhet t’u drejtohet vetëm grave, edhe burrat mund të jenë bashkëshort/prind/vëlla i një gruaje/vajze tek të cilat ata mund të kenë ndikim për të njëjtin qëllim të aktivitetit dhe gjithë sensibilizimit për kancerin e gjirit”.

Ky aktivitet pritet të mos jetë i fundit i kësaj natyre. Vetë Murati paralajmëron se ka filluar përgatitjet që diçka e tillë të realizohet edhe vitin e ardhshëm, por me shumë ndryshime.

Ndërkaq, sa i përket rolit të artit në “shtyerjen” e temave të tilla të rëndësishme, ajo u shpreh:

“Arti është një formë që ta dhurojmë mesazhin e deshiruar në mënyrë direkte dhe pa e lodhur “pranuesin” e mesazhit. Si i tillë, mund të ketë ndikim jo vetëm në këtë temë, por edhe në shumë tema e fusha të tjera qe janë në të mirë të shoqërisë. Është gjithnjë e rëndësishme që sa më shumë arti të përmbajë mesazhe dhe të shtyjë përpara tema të tilla të rëndësishme dhe të fuqishme e në të mirë të shoqërisë”, përfundoi ajo.

Youtube

Arkiva

Kategoritë