Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës , ka ndarë medalje për personalitete nga sfera e kulturës, sportit dhe sigurisë për personalitete që kanë dhënë kontribut dhe kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani tha se sot janë duke i nderuar këto personalitete për shkak se në të shkuarën me kurajën dhe guximin që kanë pasur, kanë dhënë një kontribut të veçantë dhe domethënës për Kosovën.
Ajo tha se sot do të dekorohen me medalje edhe personalitete të cilët janë dëshmitarë të gjenocidit të Millosheviqit.
“Sot jemi mbledhur këtu për t’i nderuar njerëzit e merituar që kanë kontribuar në shtet-ndërtimin tonë. Datat e veçanta siç është shënimi i ditës së pavarësisë, janë momente reflektimi të së kaluarës dhe të ardhmes. Këto personalitete të shkuara me kurajën dhe guximin kanë dhënë një kontribut të veçanta dhe domethënës për Kosovës. Kanë demonstruar që secili ka fuqi për të bërë një ndryshim. Në mesin e tyre janë personalitete vendore e ndërkombëtare, e disa nuk janë më mesin e të gjallëve. Në emër te të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës dua të jua shpreh falënderimin. Në mesin e atyre që dekorohen sot ka të tillë që janë dëshmitarë të masakrave më të tmerrshme në Kosovë, sot do t’i dekorojmë ata njerëz të cilët janë dëshmitarë të gjenocidit të Millosheviqit”, tha ajo.
“Kemi këtu Besarta Jasharin… Sot duke nderuar Ferdonijen (Qerkezin) dekorojmë gjithë ata prindër që s’rreshtën për t’i kërkuar bijtë e tyre. Masakra e Reçakut bëri bujë në botë sot me ne është Ramë Shabani… Historitë e secilit prej tyre na frymëzojnë më shumë për ta thënë e dëshmuar ta vërtetën. Mos të harrojmë se liria jonë është edhe rezultat i aleancave të mëdha dhe me vlera, prandaj në mesin e të dekoruarve ka edhe miq ndërkombëtar. Këtë shtet që e ndërtuam së bashku sot po e mbrojnë policët tanë. Sportistët tanë si çdo herë po e valëvisin flamurin tonë në çdo anë të botës”, tha ajo.
E Besarta Jashari, e cila u dekorua me medaljen presidenciale të meritave për sakrificë dhe zbardhjen e krimeve në Kosovë, tha se kjo medalje është forcë për të që të vazhdojë dhe të dëshmojë të vërtetën.
“Në prag të 25-vjetorit të UÇK-së edhe kësaj radhe si çdo herë po e ndajmë së bashku dhimbjen dhe krenarinë. Kam obligim që të rrëfej të vërtetën, por mbi të gjitha heroizmin e familjes sonë. Kjo medalje është forcë për mua të vazhdoj të rrëfej e të dëshmoj të vërtetën”, tha ajo.
Me medalje nga presidentja u dekoruan:
Saranda Bogujevci – Medalja presidenciale për zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë;
Besarta Jashari – Medalja presidenciale e meritave për sakrificë dhe zbardhjen e krimeve në Kosovë;
Kapiten Besart Ahmeti – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Kapiten Fatmir Balaj – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjën e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Toger Adem Ribari – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjën e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Koloneli Mentor Shabani – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Zyrtarja policore, Zyhra Zeqiri – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Hajriz Sejdiu – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Zyrtarja policiore, Hyrie Lipaj – Medalja presidenciale e sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës;
Rreshter Fatmir Ulaj – Medalja presidenciale e sigurisë për kontribut te shquar ndaj atdheut;
… dhe personalitete të tjera./eo