Shkruar nga Albulena Kryeziu
Këto ditë të rënda për mbarë njerëzimin kanë ngjallur frikë e pasiguri përballë virusit COVID-19, këtij “armiku” të panjohur. Shoqëria ka frikë nga ky realitet, të prekur e të lëkundur emocionalisht janë të gjithë, bashkëndiejnë trishtimin dhe pikëllimin për të gjithë ata, kudo në glob, që po e humbin betejën me “armikun” Covid-19.
Shpërthimi i sëmundjes, korona-virus COVID-19, ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit, thjesht jeta ka humbur rrjedhën e normalitetit.
Distancimi shoqëror, pastërtia dhe mbyllja e popullatës nëpër shtëpitë e tyre janë masat e shpresës që kanë ndërmarrë shumë vende të globit, por këto masa sikur nuk vlejnë për mjekët – heronjtë e betejave të ditëve tona.
Vera në klasën e parë dhe Lisi ende në çerdhe, po e përjetojnë këtë gjendje me një ndjenjë të pasigurisë dhe ankth të theksuar. Babai i Verës dhe Lisit është mjek…
Të heshtur, në luftë me të padukshmen që preku gjithë̈ botën dhe ringjalli ndjenjën e humanizmit dhe dashurisë̈ ndërnjerëzore. Të prekur e të lëkundur emocionalisht janë̈ edhe fëmijët, në veçanti fëmijët e mjekëve…
Vera përjetimin e kësaj gjendjeje po e shfaq me pyetjet e tepërta, në pëgjigjjet e të cilave po mundohemi ta fshehim ndjenjën e pasigurisë, ankthit dhe stresit që jemi duke e përjetuar;
- Përse nuk mund ta përqafoj babin?
- Babi është i fortë ka me e largu virusin.
- Kur hiqen maskat, mam?
- Dua të shkoj në shkollë.
- Më ka marr malli për gjyshen e gjyshin…
Vera, është vetëm një ndër shumë fëmijë të tjerë që kërkon përgjigje, që pret një arsyetim, por mbi të gjitha pret babin që t’i kthehet në shtëpi pa maskë dhe dorëza. Babin e dërrmuar, të lodhur fizikisht e shpirtërisht, babin që e ka tejkaluar frikën ndaj vetes, babin që nuk ka gjumë, babin që lufton, vrapon, rrezikon, por mbi të gjitha heroi i saj, babi i saj është ai që shpëton jetë.
Babi i Verës nuk është më vetëm heroi i Verës, është heroi i shumë verave, ai bashkë me shumë mjekë tjerë do të rinisë jetën në këtë vend, do të sjellë buzëqeshje e shikime ylberësh, sepse heronjtë çdoherë triumfojnë…
Drejt këtij triumfi, të qëndrojmë të bashkuar shpirtërisht, të ruajmë distancën tonë fizike, por mbi të gjitha besimin për ditë me diell.
#rriNshpi
#mendopërvetëndhepërtëtjerët
#rrinëdistancë
#respektomasat
#kujdesioërvetëndhetëtjerëtdashuripërJETËN