Mar, Mar 19, 2024
Banner Top
Banner Top
Përdorimi i telefonave nga fëmijët dhe efektet psikologjike

Shkroi: Albina Selmanaj
Zhvillimi teknologjik ka ndryshuar jo pak format e komunikimit. Interneti, gjegjësisht mediet sociale, përpos efekteve pozitive, kanë shkaktuar një lloj varësie, vecanërisht te fëmijët. Shpenzimi i shumë orëve para ekranit të telefonit, përveç tjerash, po përfton edhe probleme të tjera psikologjike.

E kontaktuar nga Familja Jonë, psikologia Antigona Qenaj Sejdiu ka treguar disa nga pasojat e përdorimit të telefonit nga fëmijët, e që në mesin e tyre është edhe ankthi.

Disa nga problemet që shfaqen tek fëmijët si pasojë e përdorimit të smartfoneve janë: çrregullimet e gjumit, çrregullimet e ushqimit, çrregullimet e të folurit, vonesat në zhvillimin kognitiv, IQ më e ulët, vështirësi në socializim, vështirësi me shkollën, ankth, depresion, agresivitet, hiperaktivitet, çrregullime të sjelljës”, theksoi ajo.

Sipas psikologes, mungesa e kontrollit prindëror dhe mos përfshirja e fëmijëve në aktivitete të ndryshme sociale, krijojnë hapësirë për manifestimin e pasojave të tilla.

Mungesa e angazhimit të fëmijëve në aktivitete të ndryshme u jep fëmijëve mundësinë të kenë kohë të pashfrytzueshme në mënyrë efektive. Kjo con në monotoni, stres dhe ankth. Fëmija kërkon të angazhojë energjinë e tij dhe shpesh e vetmja mundësi për të angazhuar energjinë diku janë ekranet teknologjike. Gjithashtu, mungesa e një kontrolli më të madh prindëror ka efektin e vet”, shprehet tutje ajo.

Përmbajtjet jo të përshtatshme, të hasura nëpër medie të ndryshme sociale, predispozohen të ndikojnë negativisht te shëndeti mendor i fëmijëve, kësisoj, Qenaj- Sejdiu thekson se duhet një angazhim më i madh prindëror në këtë aspekt.

“Janë emisionet edukative apo argëtuese që mund të shikohen nga fëmijët por me kohë shumë të kontrolluar nga prindërit. Koha e rekomanduar varet nga mosha e fëmijës por, nuk rekomandohet më shumë se një orë në ditë. Pra, prindërit kontrollojnë atë se çfarë duhet të shohin fëmijët në ekrane dhe sa gjatë qëndrojnë para ekranit “, u shprehet ajo.

Krahas efekteve negative, përdorimi i telefonit sjell edhe përfitime, sidomos kur shfrytëzohet në mënyrën e drejtë.  Qenaj-Sejdiu ediventon faktin se kjo platformë mundëson qasje më të lehtë në mësime dhe programe edukative.

 “Efekte pozitive mund të jenë vetëm nëse fëmija ka shfrytëzuar në mënyrë të drejtë përdorimin e ekraneve dhe ka marrë mësime edukative të cilat e kanë zhvilluar në aspektin e mësimit apo edukimit e të sjelljes”, tha ajo.

Në fund psikologia i këshillon prindërit që të angazhohen  sa më shumë, së bashku me fëmijët, në aktivitete të “botës reale” dhe të largohen sa më shumë nga “bota virtuale”.

Prindërit duhet fillimisht të angazhohen vet nga largimi i përdorimit të telefonava aq sa kanë mundësi sepse shpesh kjo është shumë e vështirë në ditët e sotme. Fëmija nuk është në gjendje të kujdeset për zhvillimin e tij por janë prindërit që kanë obligim të bëjnë një gjë të tillë”, përfundoi ajo.

Në lidhje me përdorimin e telefonëve nga fëmijët ka reaguar disa herë edhe Asociacioni Ndërkombtar i Pediatërve, të cilët po ashtu këshillojnë prindërit për një monitorim më sistematik në këtë drejtim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë