Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka publikuar raportin nga muaji qershor deri në muajin shtator të vitit 2022 të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive.
Sipas SHSKUK-së, gjatë kësaj periudhe janë kryer 6 mijë e 588 ekzaminime sistematike shëndetësore të sportistëve, 218 kontrolla specialistike, kurse në Njësinë e Fizioterapisë dhe Rehabilitimit janë trajtuar 40 persona.
Tutje nga ShSKUK thuhet se kjo qendër tani ka rol afirmativ nëpërmjet vizitave sistematike grupore dhe individuale me vlerësimin e aftësive fizike të sportistëve aktiv dhe qytetarëve që merren në mënyrë rekreative me sport.
QKMS organizon në bashkërendim me klubet dhe federatat e caktuara së paku dy herë në vit, kontrollime sistematike shëndetësore për sportistët, sipas orarit dhe sporteve përkatëse.
Po ashtu, në proces është hartimi i planifikimit strategjik për sportin në Kosovë, në të cilën Mjekësia Sportive do të ketë vend me rëndësi dhe kjo i hap rrugë investimeve dhe zhvillimit të Mjekësisë Sportive në Kosovë, si një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor në Kosovë.