Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se COVID-19 do të pësojë mutacione të ngjashme me gripin dhe për fat të keq ka të ngjarë të qëndrojë gjatë në mesin tonë.
Zyrtarët globalë të shëndetit thanë se virusi është “këtu për të qëndruar me ne”, ndërsa ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të ndryshimeve të reja në nivel global.
Dr Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave të OBSH-së, tha në një konferencë për shtyp: “Unë mendoj se ky virus është këtu për të qëndruar me ne dhe do të evoluojë si viruset pandemike të gripit, do të evoluojë për t’u bërë një nga viruset e tjerë që na prekin”.
Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë më parë se vaksinat nuk garantojnë se bota do të çrrënjosë COVID-19 ashtu siç ka bërë me viruse të tjera. Disa ekspertë kryesorë shëndetësorë, përfshirë këshilltarin kryesor mjekësor të Shtëpisë së Bardhë, Dr Anthony Fauci dhe Stephane Bancel, shef i Moderna, kanë paralajmëruar se botës do t’i duhet të jetojë përgjithmonë me coronavirusin, ashtu si me gripin.
“Virusi po na thotë se do të nxjerrë shumë mutacione”, tha në një intervistë specialisti i sëmundjeve infektive Dr Jesse Goodman, ish-shkencëtar kryesor në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Ai shtoi: “Edhe nëse nuk kemi një situatë kritike për momentin ekziston një mundësi reale që variantet të vazhdojnë të evoluojnë që kanë potencial për të shmangur imunitetin e vaksinave. Njerëzit kanë thënë se ne do të eliminojmë ose çrrënjosim virusin”, tha Dr Ryan.
Nëse bota do të kishte ndërmarrë hapa të hershëm për të ndaluar përhapjen e virusit, situata sot mund të kishte qenë shumë e ndryshme, thanë zyrtarët e OBSH -së. “Ne kishim një shans në fillimin e kësaj pandemie”, tha dje (e martë) Maria Van Kerkhove, drejtuesi teknik i OBSH-së për COVID-19. “Kjo pandemi nuk kishte nevojë të ishte aq e keqe”.