Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Paradontoza, lidhja me sëmundjet e zemrës

Sëmundja periodontale (paradontoza) është një çrregullim oral i cili paraqet një problem serioz për shëndetin oral të individit. Të dhënat statistikore tregojnë se 75% e popullsisë vuan nga kjo sëmundje. Përditshmëria jonë si mjekë stomatologë e konfirmon këtë të dhënë pasi 3 nga 4 pacientë që paraqiten në klinikë vuajnë nga paradontoza. Shqyrtimi i kësaj sëmundje është i detyrueshëm nga ne si mjekë në mënyrë që të rritet shkalla e informimit të individit dhe të ulen pasojat negative që kjo sëmundje sjell në shëndetit oral i cili zë jo pak peshë në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Indet që rrethojnë dhëmbët janë gingiva (mishi rreth dhëmbit), ligamenti periodontal dhe kocka alveolare. Sëmundja paradontale (paradontoza) është një sëmundje inflamatore progresive që prek pikërisht këto inde që rrethojnë dhëmbin dhe që e mbajnë atë të fiksuar në kockë. Në të tilla kushte, dhëmbi fillon dhe lëviz. Në fazën e përparuar të sëmundjes lëvizshmëria e dhëmbit theksohet derisa dhëmbi humbet përfundimisht. Pra, dhëmbi shkon drejt heqjes (ekstraksionit). Paradontoza është shkaku më i zakonshëm i humbjes së dhëmbëve në individët me moshë mbi 35 vjeç.

Si zhvillohet?

Karakteristikë e kësaj sëmundje është se përparon ngadalë dhe në stadet fillestare nuk shoqërohet me dhimbje. Sëmundja fillon me inflamacionin e gingivës (gingiviti) dhe me kalimin e kohës inflamacioni përhapet drejt ligamentit periodontal dhe kockës alveolare. Gingiva e inflamuar humbet kontaktin më dhëmbin dhe mes tyre krijohet një hapësirë që quhet xhep. Përparimi i sëmundjes shoqërohet me tërheqje të gingivës dhe humbje të kockës alveolare (rezorbim) e si rrjedhojë dhëmbët fillojnë të lëkunden si pasojë e humbjes së stabilitetit në kockë.

Si manifestohet (shenjat klinike)?

Shenjat klinike varen nga faza në të cilën ndodhet sëmundja, por në mënyrë të përmbledhur mund të përmendim:

Gingivat janë të ënjtura, gjakosen dhe janë të dhimbshme kur preken.

Pacienti ankohet për erën e keqe dhe shije jo të mirë në gojë.

Për shkak të tërheqjes së gingivës dhe humbjes së kockës rrënja e dhëmbit ekspozohet e si rrjedhojë dhëmbi duket më i gjatë dhe ndjeshmëria nga të nxehtit dhe të ftohtit rritet.

Dhëmbët fillojnë të krijojnë hapësira mes tyre ose të lëvizin (më e theksuar paraqitet tek dhëmbët frontale, të përparme).

Nëse pacienti ka protezë, vë re një lëvizshmëri të dhëmbëve ku mbështetet proteza.

Çfarë e shkakton paradontozën?

Shkaktari kryesor i paradontozës është pllaka bakteriale e cila nënkupton një shtresë të hollë e të padukshme bakteresh e cila vendoset mbi dhëmb. Është pikërisht kjo pllakë bakteriale që sulmon mishrat e dhëmbëve duke i inflamuar. Pllaka bakteriale gjen terren të veprojë në pacientë që nuk kujdesen për higjienën e gojës. Në pacientë me higjienë jo të mirë të gojës, pllaka bakteriale bashkëvepron me shtresën e ushqimeve të mbetura në gojë dhe kur ngurtësohet formon gurzat të cilët mund të vendosen mbi ose nën gingive. Gurzat nuk mund të pastrohen me furçë nga vetë pacienti por me anë të një pastrimi profesional nga mjeku në klinikë.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në përkeqësimin e kësaj sëmundje janë:

-Konsumi i duhanit

-Ndryshimet hormonale në trupin e njeriut (puberteti, shtatzënia, menopauza).

-Diabeti

-Sëmundjet kardiovaskulare

-Kimioterapia

-Medikamente të caktuara të cilat ulin imunitetin

-Infeksionet virale

-Stresi

-Konsumimi i tepërt i alkoolit.

Theksojmë që shkaktari kryesor i sëmundjes paradontale është pllaka bakteriale, faktorët e tjerë janë dytësore dhe rrisin riskun e prekjes, por janë jovendimtare.

Cilat janë fazat nëpër të cilat kalon kjo sëmundje?

Sëmundja paradontale kalon nëpër katër faza:
Gingiviti – Sëmundja ka prekur vetëm gingivën. Kjo fazë është e rikthyeshme çka do të thotë që nëse sëmundja identifikohet në këtë fazë ajo shërohet.

Faza e fillestare- Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave arrin në 3-4 mm.

Faza e moderuar- Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave është midis 4-6 mm. Të dhënat radiologjike tregojnë humbje horizontale dhe vertikale të kockës.

Faza e avancuar – Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave arrin në 6 mm. Të dhënat radiologjike tregojnë humbje horizontale dhe angulare të kockës.

Si vendoset diagnoza e saktë?

Diagnoza e saktë vendoset nga mjeku stomatolog pasi ai është prezantuar me ankesat e pacientit dhe ka bërë një shqyrtim të rastit duke e ekzaminuar klinikisht dhe me të dhënat ndihmëse nga grafitë dentare.

Si parandalohet?

Mënyra e vetme me anë të së cilës kjo sëmundje mund të parandalohet është një pastrim cilësor i përditshëm i kavitetit oral nga ana e pacientit si dhe kontrollet e rregullta periodike tek mjeku stomatolog (të paktën 1 herë në vit).

Cili është mjekimi dhe a ka mundësi për shërim?

Nëse sëmundja ka prekur vetëm gingivën dhe kapet në këtë fazë (në fazën e gingivitit) është e rikthyeshme, pra shërohet. Nëse sëmundja, krahas gingives ka përparuar duke prekur edhe kockën alveolare, nuk ka rikthim. Megjithatë edhe në këto faza është e rëndësishme kujdesi mjekësor në mënyrë që sëmundja të mbahet nën kontroll dhe të mos përparojë. Mjekimi i sëmundjes paradontale varet nga stadi në të cilën ndodhet dhe plani i trajtimit hartohet nga mjeku stomatolog. Mjeku bën një pastrim profesional të dhëmbëve, vë në dijeni pacientin mbi situatën dhe i propozon atij planin e trajtimit. Plani i trajtimit mund të përfshijë antibiotikoterapinë ose jo, trajtimin kirurgjikal ose jo (në varësi të situatës). Sot, në shërbim të pacienteve është dhe lazeri dentar i cili e bën trajtimin e sëmundjes më të lehtë për mjekun dhe më pak traumatik për pacientin. Mjeku gjithashtu i jep këshilla pacientit lidhur me mënyrën e larjes së dhëmbëve, llojin e furçës dhe pastës që duhet të përdorë si dhe e informon lidhur me shpeshtësinë e ardhjes në klinikë.

Roli i pacientit është kyç në këtë bashkëpunim në mënyrë që trajtimi të ketë sukses.

Përse është i rëndësishëm mjekimi i sëmundjes periodontale?

Mjekimi i kësaj sëmundje është mjaft i rëndësishëm, madje i detyrueshëm jo vetëm për faktin që të rritet jetëgjatësia e dhëmbëve në mënyrë që individi të mos mbesë pa dhëmbë në një moshë shumë të re, por arsye tjetër mjaft e fortë është roli që kjo sëmundje ka në mirëqenien e përgjithshme të organizmit. Studimet shkencore tregojnë një lidhje mes paradontozës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Është vënë rë një rritje e incidencës (2 herë më shumë) për sëmundje të zemrës tek individët që vuajnë nga paradontoza. Gjithashtu ka studime që konfirmojnë se femrat që vuajnë nga paradontoza janë më shumë të rriskuara të kryejnë abort spontan. Arsyeja për të dyja rastet e sipërpermendura është fakti që mikroorganizmat e vendosura në pllakë bakteriale kalojnë përmes qarkullimit të gjakut dhe sulmojnë zemrën dhe fetusin. Pra, këshilla për gjithë pacientët është të mos neglizhojnë asnjëherë kujdesin për higjienën e përditshme orale dhe të jenë të rregullt me kontrollet periodike te mjeku stomatolog. Të parandalosh është më mirë se të mjekosh dhe një shëndet i mire oral është një mirëqenie e përgjithshme e organizmit e si rrjedhojë një jetesë me cilësi të lartë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë