Shkruar nga Fisnik Dajakaj
Kronologjia e infektimeve në Kosovë daton që prej 13 marsit të vitit 2020. Atë ditë u shënuan dy të infektuarit e parë.
Lakorja e të infektuarve nuk ishte shumë e lartë, por marsi kaloi me shumë shqetësim për mënyrën se si do të manifestohej ky virus dhe sa do të ishte vdekjeprurës. 23 marsi shënoi ditën kur u regjistruan më së shumti të infektuar me koronavirus qysh prej shfaqjes së pandemisë. 28 persona u konfirmuan pozitivë me COVID-19, duke e cuar kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 61.
Frika për shtimin gradual të rasteve u dha hapësirë marrjes së masave parandaluese, cka determinoi me një karantinim total. Qarkullimi i qytetarëve u rregullua në atë mënyrë që numri i parafundit i letërnjoftimit të tregojë edhe kohën kur ai/ajo mund të lëvizë lirshëm për një orë e gjysmë.
Numër të madh të rasteve deri në muajin qershor nuk kishte. Kurba e infektimeve filloi të kishte rënie graduale, për pasojë ngjalli optimizëm te të gjithë qytetarët se koronavirusi po largohej, anipse bëheshin shumë pak testime. Duke u vlerësuar kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë filloi me lehtësimin gradual të masave deri në heqjen totale të karantinës më 1 qershor.
Mësimi deri në këtë kohë zhvillohej online, si për arsimin universitar, ashtu edhe për atë parauniversitar, gastronomia nuk funksiononte dhe shumë biznese ishin pranë kolapsimit, sektori i ekonomisë u ndikua si shkas i kufizimit të lëvizjes dhe shoqëria në tërësi po përgatiteshin për një mënyrë jetese krejtësisht tjetër, derisa virusi të largohej.
Muajt qershor, korrik dhe gusht u karakterizuan me një rritje enorme të numrit të rasteve me të infektuar. Pasuesi i Arben Vitisë në postin e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, fajin e linte te lirimi i parakohshëm i masave nga qeveria paraprake.
Testimet vazhdonin të mos ishin të shumta në numër, ndërsa, përkundër rritjes së madhe të rasteve, kafenetë gëlonin nga njerëzit sikur gjithcka ka mbaruar sa i përket virusit.
Ekspertët shëndetësorë vazhdonin të bënin thirrje për respektim të masave, derisa spitalet mbusheshin me të infektuar.
Situata me të infektuar mbeti pothuajse gjithnjë me numra treshifrorë që prej tremujorit veror. Testimet rriteshin por, ndryshe nga fillimi i shfaqjes e saj, tanimë s’mund të parashikohej për përfundimin e pandemisë.
Masat ndryshonin në përpjekje të frenimit të rasteve. Kategorizimi i komunave në bazë të numrit të të infektuarve bëhet edhe tani, anipse doli të mos ketë efikasitet në kthimin në normalitet, porse më shumë e dëmtonte gastronominë me kufizimin e lëvizjes gjatë mbrëmjeve.
Kur po bëhen një vjet që virusi jeton bashkë me ne, mësimi universitar ende vazhdon të mbahet online, ndërsa ai parauniversitar me prezencë fizike. Tani qarkullimi i qytetarëve vazhdon të jetë i lirë, me kushtin që të mbahet maska dhe të ruhet distance sociale.
Sot janë në total mbi 10 mijë raste aktive dhe më shumë se 1 mijë e 600 persona të vdekur nga koronavirusi. Edhe pse vaksinat kundër koronavirusit janë lëshuar në përdorim, Kosova ende nuk e ka një të tillë, përkundër premtimeve nga Qeveria se vaksina do të vijë shumë shpejt në Kosovë.