Mbrëmë, një shpërthim shkatërroi një pjesë të kanalit të Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Kjo situatë shkaktoi panik në vend, pasi uji që vjen nga ky kanal shkon në turbinat e termoelektranave në KEK për t’i ftohur të njëjtat.
E ky ujë pastaj shkon në sistemin e kogjenerimit të Termokosit, që shfrytëzohet për ngrohje nga qytetarët e Prishtinës.
Mirëpo, situata u vu nën kontroll pas disa orësh, me makineri të rënda që u aktivizuan për të sanuar dëmet nga ky shpërthim.
Kryeministri Albin Kurti e konsideroi shpërthimin si sulm terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron prapa tij.
Reagime pati nga të gjitha anët. ShBA-ja, BE-ja, Franca, Italia, Gjermania, Turqia e Shqipëria, pos tjerash, që të gjitha e dënuan incidentin.