Hën, Tet 14, 2024
Banner Top
Banner Top
Pagjumësia, fenomen i shprehur tek personat e prekur me kancer

Një studim, së fundmi ka treguar se pothuajse gjysma e pacientëve me kancer vuajnë nga shenja të pagjumësisë dhe shumë prej tyre kanë çrregullime të gjumit që zgjasin për të paktën 1 vit.

Në përgjithësi, me zhvillimin urban problemet e pagjumësisë janë shumë të shprehura dhe personat me kancer kanë më shumë gjasa për t`i hasur ato. Tashmë dihet se çrregullimet e gjumit ndikojnë negativisht në efektet e trajtimeve antitumorale, e megjithatë ende nuk njihen rrethanat në të cilat këto çrregullime kanë më shumë gjasa për të ndodhur.

Në këtë studim janë analizuar të dhëna nga 405 pacientë me kancer në Gjermani, të cilët kishin një moshë mesatare 59 vjeç dhe i ishin nënshtruar 2 vlerësimeve për pagjumësinë: vlerësimi i parë është kryer në momentin e përfshirjes në studim dhe i dyti është kryer 12 muaj më vonë.

Malinjancat më të shpeshta në studim ishin kancer gjiri, tumore të prostatës dhe testikujve dhe kanceri kolorektal.

Shumica e pacientëve – 83% ishin duke u trajtuar për herë të parë për kancer. Pjesa tjetër kishin rikthim të sëmundjes ose tumore sekondare me lokalizim të ndryshëm nga tumori primar.

Në fillim të studimit, 49% të pacienteve kishin simptoma të pagjumësisë dhe 13% e tyre kishin çrregullime të rënda të gjumit.

Pas 1 viti nga fillimi i studimit, 64% e pacientëve të cilët kishin shprehur pagjumësi në fillim të studimit, vazhdonin me probleme të pagjumësisë edhe pas trajtimit.

Në fund të studimit është parë se 53% e burrave dhe 39% e grave kishin pagjumësi. Për gratë, i vetmi faktor që ndikonte ne persistencën e pagjumësisë ishte nëse simptomat ishin shfaqur që në fillim të studimit. Ndërsa në burra, situata rëndohej nëse ata vuanin njëkohësisht edhe nga depresioni apo mjekoheshin për sëmundje te shëndetit mendor. 

Niveli i stresit, depresionit dhe ankthit rritej përgjatë gjithë vitit si në burra dhe në gra.
Pagjumësia është më e shpeshtë ne pacientët me kancer për shumë arsye. Kryesisht, efekti psikologjik i diagnozës së kancerit dhe impakti i trajtimit është i mjaftueshëm për t`i dhënë shkas shenjave të para të pagjumësisë. Por të gjitha këto shqetësime duhen evidentuar dhe trajtuar në kohë, për të shmangur mundësinë e kronicizimit.

Këshilla më e mirë për pacientet me kancer që vuajnë nga pagjumësia është të kërkojnë ndihmë në shfaqjen e parë të simptomave. 

Ky studim nxjerr në pah se simptomat e pagjumësisë nuk do të përmirësohen vetvetiu me mbarimin e trajtimit. Për këtë arsye, ato duhet te vlerësohen dhe mjekohen në kohë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë