Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Pacientët e Onkologjisë letër MSh-së: Ndërmerrni masa ose mbyllemi në repart deri në plotësimin e kërkesave

Pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë në Repartin e Onkologjisë po përballen me vështirësi për shkak siç thonë kushteve të rënda, si rrjedhojë e mungesës së stafit teknik, hapësirës së pamjaftueshme, kushteve higjienike sanitare të vështira gjatë marrjes së terapisë, si dhe mungesën e disa barnave në këtë institucion.

Ata përmes një letre i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë dhe Bordit drejtues të ShSKUK-së që të merren me përmirësimin e këtyre kushteve dhe njëkohësisht i ftojnë që të vizitojnë këtë repart në mënyrë që të binden me kushtet e rënda aty.

Në letrën që i janë drejtuar personave përgjegjës e që pritet t’i dërgohet ministrit të Shëndetësisë dhe Bordit drejtues thuhet se nëse nuk i ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmbushjen e kërkesave, pacientët që janë nënshkruar në letër do të ndërmarrin veprime radikale, deri në vet-mbyllje në repartin onkologjik.

“Pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë në Repartin e Onkologjisë po përballen me vështirësi për shkak të kushteve tejet të rënda, si rezultat i mungesës së stafit teknik, hapësirës së pamjaftueshme, kushteve higjienike sanitare të vështira gjatë marrjes së terapisë, si dhe mungesën e disa barnave në këtë institucion.

Ndaj me urgjencë, kërkojmë që brenda 15 ditëve të evitohen vështirësitë”, thuhet në letër.

“Në rast se nuk i ndërmerrni veprimet për përmbushjen e kërkesave tona, ne pacientët e poshtëshënuar do të ndërmarrim veprime radikale, madje deri në vet-mbyllje në repartin onkologjik deri në përmbushjen e kërkesave”, thuhet më tej.

Më tej thuhet se letra me kërkesa do të afishohet në hyrje të repartit onkologjik dhe nga personat përgjegjës në repart do t’u dërgohet palëve. R

Për shkak të privatësisë, Telegrafi nuk ka publikuar listën e personave (pacientëve) me nënshkrime, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në Repartin e Onkolgjisë. /Telegrafi

Youtube

Arkiva

Kategoritë