Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Osmani gjatë vizitës në Onkologji: Të ndahet më shumë buxhet për shëndetësinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Muajit të luftës kundër kancerit të gjirit ka vizituar Klinikën e Onkologjisë.

Me ç’rast janë shpërndarë 100 proteza silikoni e 100 gjoksore, projekt i mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, si dhe 100 paruke, donacion i Koalicioni K10 dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA Kosova, zyra në Prishtinë.

Presidentja Osmani tha se prioritet e saj mbetet shëndetësia. Me këtë rast, ajo kërkoi që të ndahet më shumë buxhet për shëndetësinë.

“E shfrytëzuam këtë bisedë për të diskutuar për nevojat që i ka kjo Klinikë, në mënyrë që të përmirësoheni kushtet për të gjithë pacientët sepse kujdesi i stafit mjekësor është i jashtëzakonshëm. Në të njëjtën kohë duhet kushte më të mira dhe për këtë po bëjmë maksimumin që këto kërkesa të merren parasysh”.

“Këta pacientë kanë nevojë edhe për përkrahje psikologjike, ku diskutuam edhe për rritjen e numrit psikolog klinik këtu sepse kanë nevojë për mbështetje të madhe emocionale”, tha Osmani, teksa ka kërkuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të ndahet buxhet më i madh për shëndetësinë.

U.d e drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi tha se çdo ditë po punojnë me intensitet për të mjekuar dhe trajtuar pacientët me sëmundje malinje.

“Muaji tetor është muaji kur merr publicitet më të madh, por ne jemi në luftë çdo ditë për të parandaluar, por edhe për të mjekuar dhe trajtuar pacientët me sëmundje malinje”, tha ajo.

Nafije Latifi, nga shoqata kosovare për luftën kundër kancerit të gjirit “Jeta/Vita”, e cila personalisht u përballë me këtë sëmundje, pati fjalë të mira për stafin shëndetësor, duke thënë se Onkologjia është storie e suksesit për shëndetësinë në vend.

“Ne si shoqatë jemi munduar që të arrijmë tek secili pacientë, fillimisht me i formatin që të ketë kujdes për vete. Pikërisht klinika e Onkologjisë është një storie e suksesit në shëndetësinë kosovare”, tha ajo./eo

Youtube

Arkiva

Kategoritë