Mër, Qer 29, 2022
Banner Top
Banner Top
Oftalmologët paralajmërojnë: Pse nuk është mirë të bartni syze dielli herët në mëngjes?

Në disa pjesë të ditës, fshehja e syve pas syzeve të diellit nuk është një ide e mirë

Studimet kanë treguar se fotoreceptorët në sy ndihmojnë në rregullimin e ritmeve cirkadiane në trup, gjë që luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e gjumit, oreksit dhe shumë proceseve të tjera në trup.

Hulumtimet tregojnë se ata që marrin “nivele të larta” të dritës së fortë në mëngjes shpesh flenë më mirë se ata që nuk janë të ekspozuar ndaj dritës dhe mbajtja e syzeve të diellit mund të ndërhyjë në këto procese natyrore.

Dr. Stephen Foster, profesor i oftalmologjisë në Hardware School of Medicine, thotë se është më mirë të shmangni mbajtjen e syzeve të diellit ndërmjet orës 9 dhe 10 paradite, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu tregon se është e rëndësishme se cilat syze zgjidhni për mbrojtjen nga dielli, sepse jo të gjitha janë të një cilësie të barabartë.

Mbajtja e syzeve të diellit mund të mbrojë sytë tuaj, por jo të gjitha syzet janë njësoj të mira.

– Nuk ka rëndësi sa të errët janë dhe çfarë ngjyre ka xhami. Gjëja më e rëndësishme është që syzet e diellit bllokojnë 99 deri në 100 për qind të rrezatimit UVA dhe UVB – thotë ai.

Edhe çmimi nuk është gjithmonë me rëndësi, sepse edhe syzet e lira mund të jenë mjaft të mira, e rëndësishme është vetëm që të kenë një etiketë për t’u mbrojtur nga rrezatimi UV.

“Gjithashtu, polarizimi i xhamit nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen nga rrezet ultraviolet”, thotë okulistja Rebecca Taylor, një zëdhënëse e Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë.

Dhe madhësia e xhamit është e rëndësishme.

– Sa më të mëdha, aq më mirë. Me syze të vogla, rrezet hyjnë nga të gjitha anët – shton ajo. Nga ana tjetër, mbajtja e syzeve të diellit gjatë diellit më të fortë është shumë e dëshirueshme dhe ka përfitime të shumta shëndetësore. Sipas një studimi të vitit 2014 nga Instituti Kombëtar Amerikan i Syve, rrezatimi diellor mund të dëmtojë proteinat në thjerrëzat e syrit. Me kalimin e kohës, këto lezione mund të rrisin rrezikun e kataraktit, gjë që mund të çojë ndjeshëm në dëmtim të shikimit.

“Kur nuk mbani mbrojtje, rrezatimi ultravjollcë që nuk e shihni depërton në sy dhe struktura e tij është shumë e ndjeshme ndaj kësaj”, shpjegon Taylor.

Pjesa e pasme e syrit, e quajtur retinë, ka një zonë qendrore të ndjeshme të njohur si makula (ose e ashtuquajtura njolla e verdhë). Mjeku shpjegon se kur drita “hyn në sy”, ajo godet drejtpërdrejt dhe fuqishëm makulën si një rreze laser.

Ka prova që dëmtimi UV mund të rrisë rrezikun e degjenerimit makular, një nga shkaqet kryesore të verbërisë së lidhur me plakjen. Ekspozimi në diell shoqërohet gjithashtu me një formë të dëmtimit afatshkurtër të syrit të ngjashëm me djegien (ndonjëherë të referuara si “djegie nga saldatori”), që mund të shkaktojë verbëri të përkohshme ose shikim të paqartë.

Në një pjesë të caktuar të ditës, rreziku i dëmtimit është më i lartë, natyrisht, si në ambiente të caktuara. Për shembull, bora, uji ose xhami i përparmë në një makinë mund të reflektojë dritën në sy, kështu që koha e kaluar në një varkë, në borë ose në një makinë në një ditë me diell është si “të marrësh një dozë të dyfishtë të dritës ultravjollcë, “, thotë Dr. Foster.

– Ju e merrni atë nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe ekspozimi ndaj reflektimeve të dritës.

Në lartësitë më të larta, rrezet e diellit janë më të forta, kështu që rreziku shoqërues rritet. /Telegrafi/

Arkiva

Kategoritë