Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar të martën, se javën e kaluar Evropa ishte rajoni i vetëm në botë ku janë shënuar rritje të rasteve të reja me coronavirus.
Në konferencën javore, agjencia e shëndetësisë pranë Kombeve të Bashkuara, ka bërë të ditur se në Evropë gjatë javës së kaluar janë regjistruar shtatë për qind më shumë raste të infektimit me COVID-19, përkatësisht rreth 2.7 milionë raste të reja dhe 46.000 të vdekur, transmeton Telegrafi.
Në Evropë për të tretën javë me radhë janë shënuar rritje të rasteve të reja me coronavirus. Më shumë se gjysma e shteteve të Kontinentit të Vjetër, kanë raportuar rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19.
E rënia më e madhe me raste të reja me COVID-19 është regjistruar në Afrikë dhe pjesën perëndimore të Paqësorit, ku numri i të infektuarve ka rënë në rreth 18 për qind.