Hën, Dhj 6, 2021
Banner Top
Banner Top
Nesër fillon vaksinimi nëpër shkolla të mesme

Nga dita e nesërme do të fillojë vaksinimi i nxënësve nëpër shkolla të mesme. Kështu bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi për medie.

Në njoftim thuhet se nesër do të vaksinohen nxënësit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

“Me qëllim të vaksinimit të nxënësve me vaksinën kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë, ka organizuar për nesër (e mërkurë, 24 nëntor) ekip mobil për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë. Vaksinimi, i cili do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës, do të zhvillohet nga ora 13:00 në mjediset e kësaj shkolle. Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen, pasi të kenë dhënë deklaratën e pajtueshmërisë për vaksinim, janë të mirëpritur, nëse duan për të përcjellë nga afër vaksinimin”, thuhet në njoftim.

Më tej, MSH thekson se “procesi i vaksinimit me ekipe mobile nëpër shkollat dhe nivele e tjera do të vazhdojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoritë komunale për Arsim, ndërsa krahas vaksinimit përmes ekipeve mobile, qytetarët e të gjitha kategorive dhe grup-moshave, mund të vaksinohen çdo ditë pune edhe në qendrat statitke të vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19”.

“MSh u bën thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar ende apo që nuk e kanë kompletuar procesin e vaksinimit me të dy dozat që ta bëjnë këtë, sepse në këtë kohë kur shtetet e rajonit dhe të kontinentit evropian po përballen me numër të lartë të rasteve të COVID-19, vaksinimi është preventiva dhe mbrojtja më e mirë”, përfundon njoftimi i MSH-së.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19.

Arkiva

Kategoritë