Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Në kohë pandemie sipas ARBK-së, janë hapur 10 mijë biznese të reja

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, në vitin 2020 ka pasur më pak kërkesa për shuarje biznesi, se sa në tri vitet paraprake.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020 janë regjistruar rreth 10 mijë biznese të reja. Njohësit e fushës së ekonomisë konsiderojnë se kërkesat e vogla për shuarje në kohë pandemie janë rezultat i përpjekjeve nga vetë kompanitë për ruajtjen e stabilitetit ekonomik.

Gjatë dy muajve të parë të këtij viti mbi 200 biznese kanë kërkuar të shuhen në Kosovë, ndërsa gjatë vitit  2020, që njihet si vit i pandemisë, janë regjistruar rreth 10 mijë biznese të reja. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën  drejtoresha e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Nexhmije Selimi.

 “Gjatë këtij dy mujori, pra në  muajin janar dhe shkurt të vitit 2021, janë shuar 251 biznese, ndërsa gjatë vitit 2020 janë shuar 1356 biznese, kurse  janë regjistruar 9 mijë  e 807 biznese të reja”.

Selimi tha se numri i kërkesave për shuarjen e bizneseve ka qenë shumë më i madh gjatë vitin 2019, kur nuk ishte problemi i pandemisë.  Sipas Selimit,  në vitin 2020 janë shuar rreth 500 biznese më pak sesa në vitin paraprak.

“Në qoftë se bëjmë krahasimin me vite të tjera, 2019-2018, do të thotë se në vitin 2020 janë shuar më pak biznese sesa në këto dy vitet e mëparshme, sepse në 2018 kemi 1887 biznese të shuara, në 2019 kemi 1766 biznese të shuara ndërsa në 2020 janë 1356 biznese të shuara”, tha Selimi, për Radio Kosovën.

Njohësi i fushës së biznesit, Lulzim Syla, konsideron se njëra nga arsyet pse në Kosovë gjatë pandemisë ka më pak biznese të shuara është si rezultat i përpjekjes  maksimale të kompanive  për ruajtjen e  stabilitetit  ekonomik gjatë kësaj kohe të krizës. Syla tha se në këtë drejtim ka kontribuar edhe ndihma e  qeverisë. 

“Ndihmesa sado e vogël që ka ardhur prej qeverisë e ka shtyrë ose eliminuar rrezikun për falimentim të bizneseve, faktori i dytë kryesor është që një pjesë e bizneseve kanë ulur numrin e  stafit dhe të aktiviteteve ose kanë përgjysmuar aktivitetin në masë të madhe, me qëllim të shtimit të kompanisë deri në një fazë tjetër. Kurse një grup tjetër i bizneseve kanë hyrë në kredi – këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore, ku të dhënat tregojnë se prapë kemi hyrë 1 milion euro kredi gjatë kësaj periudhe 1 vjeçare. Këta janë tre faktorët kryesorë që e kanë mbajtur një lloj stabiliteti të qëndrueshmërisë të bizneseve duke pasur parasysh se është një numër më i vogël  i falimentimeve në raport më vendet tjera falë një mobilizimi të gjithëmbarshëm”, tha Syla.

Njohësi i fushës së ekonomisë, Safet Gerxhaliu, thotë se në këtë kohë në Kosovë është duke u vërejtur një entuziazëm i ri në perspektiven ekonomike.  Ai konsideron se  tashme ka filluar të përmirësohet edhe ambienti biznesor.

“Gjatë kohës se pandemisë kemi pasur biznese të shuara por të njëjtën kohe kemi pasur edhe biznese që janë hapur me vizion të ri me mundësi të reja dhe definitivisht  me një shpresë se në Kosovë do të përmirësohet ambienti biznesor. Dua të besoj se të mos e kishin pasur këtë situatë të mosunitetit politik, ambienti biznesor do të kishte qenë shumë më i volitshëm, sepse shumë vende të rajonit krizën ekonomike nga pandemia e kanë shndërruar si një mundësi për të rritur eksportin, për të përmirësuar bilancin e pagesave kurse në Kosovë ka dominuar agjenda ekonomike” tha Gerxhaliu.

Por ndryshe nga ARBK-ja flet një hulumtim i Institutit “Paragon” sipas të cilit mbi 10 mijë biznese u mbyllën dhe rreth 50 mijë vende pune humbën gjatë një viti pandemie, ndërsa 150 mijë punëtorë ende hasin në vështirësi në marrjen e pagës. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë