Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
NË AMERIKË APROVOHET EDHE NJË BAR PËR SKLEROZË MULTIPLE – PONESIMOD

Shkrim nga: Blerim Myftiu, Neurolog

Në fund të muajit të kaluar, Autoriteti amerikan për Ushqim dhe Barna (FDA) e aprovoi për përdorim një tjetër bar oral për trajtimin e sklerozës multiple, duke e përfshirë formën relapsing-remitting, sindromën klinike të izoluar dhe formën sekondare progresive aktive. Ponesimodi është bar në formë tablete i cili përdoret një herë në ditë dhe modulator selektiv i sfingozin-1-fosfat receptorit 1.

Studimi OPTIMUM 3 që i ka hapur rrugë miratimit të barit ka treguar se ka pakësuar numrin e sulmeve vjetore të sëmundjes dhe zhvillimin e lezioneve aktive në tru, në krahasim me një tjetër bar oral tashmë të aprovuar për sklerozë multiple, teriflunomidin.

Në studim kanë qenë të përfshirë 1133 pacientë me formën relapsing-remitting të sklerozës multiple. Gjysma e pacientëve kanë përdorur 20 mg Ponesimod, kurse gjysma tjetër 14 mg Teriflunomid për 108 javë. Gjatë krahasimit, numri i sulmeve vjetore është pakësuar për 30% më tepër në grupin e Ponesimodit, kurse në 71% të pacientëve nuk janë detektuar sulme fare (karshi 61% në grupin e teriflunomidit). Shkalla e pakësimit të lezioneve të reja apo të lezioneve aktive në rezonancën magnetike është pakësuar për 59% në grupin Ponesimod.

Efektet kryesore anësore të vërejtura gjatë studimit kanë qenë infeksionet e traktit të sipërm respirator, rritja e nivelit të enzimave të mëlçisë dhe hipertensioni.

Që prej shkurtit të vitit 2020, me sigurimin e barnave të mjaftueshme për të gjithë pacientët me sklerozë multiple në Kosovë, është filluar me vlerësimin e të gjithë pacientëve kosovarë në mënyrë të sistematizimit të tyre në terapi përkatëse. Kolegjiumi Profesional i Klinikës së Neurologjisë është i angazhuar përditë në identifikimin dhe optimizimin e terapisë për të gjithë pacientët kosovarë që janë në gjendje të përdorin terapi. Interferoni beta 1A (Rebif), interferoni beta 1B (Betaferoni), Okrelizumabi (Ocrevus) dhe Fingolimodi (Gilenya) janë momentalisht në dispozicionin e Klinikës së Neurologjisë për përdorim në Kosovë. Duke pasur parasysh që numri i secilit lloj të terapisë është i kufizuar, Kolegjiumi ka përcaktuar kritere në bazë të të cilave e bën shpërndarjen e terapisë dhe kalimin eventual nga një lloj në tjetrin të terapisë. /FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë