Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Ndërhyrja në stilin jetësor si mjet i parandalimit të infraktit trunor akut

Në revistën shkencore Medicina është publikuar punimi i ekipit të udhëhequr nga Prof. Valbona Govori, në të cilin është bërë rishikimi i ndikimit të modifikimit të stilit jetësor në parandalimin sekondar të infarktit trunor akut.

Insulti iskemik në tru, përkundër se është në shkallë të lartë i parandalueshëm, është shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjes dhe i paaftësisë në botë. Parandalimi dytësor është kritik meqenëse rekurenca apo përsëritja e infarktit trunor është 6-15 herë më i lartë krahasuar me popullatën e përgjithshme. Përsëritja e infarktit shoqërohet me shkallë më të lartë të vdekshmërisë dhe të paaftësisë. 

Ndryshimet në stilin jetësor duhet të adresojnë disa faktorë rreziku në mënyrë që mundësia e rikthimit të problemit të ulet në minimum. Ndryshimet e tilla në nivelin personal duhet të përfshijnë aktivitetin fizik, dietën e shëndetshme, ndërprerjen e duhanit dhe të alkoolit, si edhe pakësimin e stresit. Aktiviteti fizik duhet të bëhet në mjedis pa ndotje të ajrit. 

Studimet e fundit kanë treguar që deri në 90% të infarkteve trunore mund të parandalohen nëse dhjetë faktorë të rrezikut adresohen dhe menaxhohen në mënyrë optimale. Gjysma e këtyre faktorëve kanë të bëjnë me modifikimet në stilin jetësor. Këto ndryshime më pas mund të ndikojnë në faktorët e tjerë, të ashtuquajtur të pamodifikueshëm, siç janë hipertensioni arterial, hiperlipidemia, obeziteti, diabeti dhe fibrilacioni atrial.

Pengesat kryesore për parandalimin efikas sekondar janë çrregullimi motorik, çrregullimi kognitiv pas infarktit të parë, depresioni dhe lloji i infarktit paraprak. Modifikimet afatgjata të stilit jetësor janë vështirë të mbahen dhe kërkojnë ndërhyrje të individualizuara gjithëpërfshirëse. Punimi aktual synon nënvizimin e dobive që sjellë modifikimi i stilit jetësor, si mënyra më e efikase e parandalimit dytësor të infarkteve trunore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë