Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se gruaja nga Malisheva ka vdekur si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor, në një ordinancë stomatologjike në këtë komunë.
MSh thotë se kjo ordinancë ka ushtruar veprimtari ilegale, teksa kanë kërkuar dënim maksimal ndaj të dyshuarve.
“Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare.
Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar gjithashtu se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar. Shprehim ngushëllime për familjen e së ndjerës!”, thuhet në fund të njoftimit