Sht, Dhj 14, 2024
Banner Top
Banner Top
Mënyra Perfekte si të Hapni Petët e Byrekut në Shtëpi

Një nga gatimet tradicionale të amvisave shqiptare është byreku.

Me spinaq, qepë e domate, presh, kungull apo me mish, recetat janë të larmishme, por ajo që mbetet e njëjtë dhe sfidë e vërtetë është përgatitja e petëve.

Këtu iu tregojmë mënyrën më të lehtë për të hapur petët, që çdo herë të përgatisni byrekun perfekt.

Përbërësit që ju duhen për brumin e petëve

  • 1 kg miell
  • Kripë
  • 350 ml ujë të vakët
  • Dy lugë vaj ulliri

Përgatitja

Në një tas të madh hidhni miellin duke e kaluar në një sitë, dhe më pas spërkateni me kripë.

Krijoni një gropë dhe shtoni aty ujë dhe vajin e ullirit. Përzjejeni me një pirun derisa brumi të fillojë të lidhet, do të duhet rreth 10 minuta.

Më pas punojeni me duar, në fillim brumi do të jetë i ngjitshëm, por me punimin do të marri formën e duhur.

Kur sipërfaqja e brumit të jetë e njëtrajtshme dhe ai të shkëputet lehtë nga tasi mbulojeni me një pecetë kuzhine.

Brumin duhet ta lini të vijë përreth një orë në temperaturën e ambjentit.

Më pas jepini brumit një formë cilindrike dhe ndajeni në 25 kulaçë të vegjël, të cilët punojini derisa t’i jepni formën e rrubullakët.

Mbulojini me një pecetë me pak lagështirë, kështu brumi nuk do të thahet e do të qëndrojë i butë.

Pastrojmë sipërfaqen ku do të hapim petët dhe e spërkasim me niseshte.

Marrim topthin e parë dhe e në fillim e shtypim me dorë lehtë për ta hapur pak.

Më pas me ndihmën e petësit fillojmë dhe e punojmë, por tregoni kujdes që të rrotulloni petën herë pas here.

Kështu ajo do të marri një formë rrethore.

Peta duhet të jetë e madhe sa pëllëmba juaj. Kështu do të vazhdoni deri sa të keni formuar pesë peta të vogla.

Hapi tjetër është shumë i lehtë, merrni petën e parë dhe spërkateni me pak vaj ulliri, dhe vendosini sipër petën tjetër.

Kështu do t’i rendisni të pesta petët.

Vazhdoni derisa me 25 kulaçët të keni formuar 5 petë të vogla.

Spërkateni përsëri sipërfaqen ku do të punoni me niseshte, dhe me petësin e trashë punojeni petën derisa të jetë dyfishuar në sipërfaqen e saj.

Më pas merrni petësin e hollë, i cili kërkon një teknikë tjetër.

Vendoseni në skajin e petës dhe rrotullojeni duke mbledhur dhe petën me të.

Lëvizeni petësin në mes të tavolinës dhe me të dyja duart do ta rrotulloni nga qendra drejt skajeve të tij.

Më pas hapeni petën tërësisht, dhe bëni të njëjtin veprim për të gjitha anët e petës. Kështu ajo do të hapet në mënyrë të njëtrajtshme.

Këtë proces do ta përsërisni për të gjitha petët.

Petët e byrekut bëhen më të trasha se sa petët e bakllavasë, prandaj nuk do të jenë gati transparente.

Petët hapini sa sipërfaqja e tavës tek e cila do të përgatisni byrekun tuaj, por mos u shqetësoni nëse nuk janë të barabarta.

Mos harroni që mbushjen e byrekut ta keni përgatitur më parë, që të jetë gati kur të hapni petët.

Youtube

Arkiva

Kategoritë