Për gratë që kalojnë nw menopauzë, artriti reumatoid mund të bëhet më i dhimbshëm, sugjeron një studim i ri.
Hulumtimi zbulon se si ndryshimet hormonale mund të ndikojnë ndjeshëm në simptomat e kësaj gjendjeje kronike, ndërsa në të njëjtën kohë shtron pyetjen se sa mirë janë profesionistët të përgatitur për të ofruar mbështetje adekuate për pacientët.
Sipas një studimi të 779 grave që janë në menopauzë, ose postmenopauzë, katër nga pesë gra raportuan se simptomat e tyre të artritit reumatoid u përkeqësuan gjatë kwsaj faze. Për 10% të tw tyre, simptomat u përkeqësuan ndjeshëm.
Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se pothuajse 93% e grave nuk kanë pasur kurrë një diskutim mjekësor për menopauzën me një mjek. Shumica e tyre besojnë se reumatologët kanë nevojë për edukim më të mirë për ndikimin e menopauzës në artrit.
Ekspertët besojnë se rënia e niveleve të estrogjenit gjatë menopauzës është një arsye kryesore për përkeqësimin e simptomave të artritit reumatoid. Megjithëse terapia e zëvendësimit të hormoneve (HRT) përdoret shpesh për të lehtësuar simptomat e menopauzës, rezultatet e hulumtimit sugjerojnë se ajo nuk është aq efektive në reduktimin e dhimbjes së artritit.
Pothuajse gjysma e të anketuarve ishin në HRT, por vetëm një e treta deklaruan se terapia ua lehtësonte dhimbjet në mënyrë të moderuar ose të konsiderueshme.
Studimet e mëparshme kanë treguar se gratë që përjetojnë menopauzë të hershme kanë një rrezik tre herë më të lartë të zhvillimit të artritit reumatoid. Ky informacion thekson më tej rëndësinë e hormonit estrogjen në ruajtjen e shëndetit të kyçeve, shkruan Index.hr.
Ekspertët që publikuan një përmbledhje këtë vit në revistën BMC Rheumatology arritën në përfundimin se estrogjeni luan një “rol kyç” në zhvillimin dhe ashpërsinë e simptomave të artritit reumatoid.