Të mërkurën në mbrëmje, në qendër të kryeqytetit u mblodhën një numër i madh i ekspertëve të mjedisit, dashamir të natyrës e aktivistë që avokojnë për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme.
Përgjatë tre ditëve, qytetarë të shumtë patën mundësi që të njoftohen më nga afër për ndikimin që shkaktojnë ndryshimet klimatike, ngritjen e vetëdijes për të vepruar koletivisht si dhe të shohin dokumentarët e njohur ndërkombëtarisht “I am Greta”, “Taste the Waste” dhe “Honeyland”, ku tregohen sfidat dhe që ofrohen zgjidhjet për të ndërtuar dhe për ta ruajtur planetin.
Në natën e parë të kësaj ngjarje, Atasheu për Klimën në Ambasadën e Gjermanise Dr. Sebastian Leuschner, foli për ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi natyrën, ekonominë dhe shoqërinë tonë derisa theksoi nevojën për të vepruar dhe për ta parandaluar këtë.
“Qeveria gjermane ka mbështetur aktivisht institucionet e Kosovës në sektorin e mjedisit dhe energjisë për më shumë se dy dekada tani. Me këto partneritete, ne kemi çuar bashkëpunimin tonë në këtë fushë në një nivel të ri.” – tha Atasheu për Klimën në Ambasadën Gjermane në Kosovë Dr. Sebastian Leuschner.
Edhe Marianne Alker Eksperte e GIZ për çështje mjedisore dhe klimë bëri thirrje për një të ardhme më të gjelbër.
“Për një komb të ri dhe ambicioz si Kosova, këto sfida klimatike ndihen veçanërisht urgjente. Kosova është një vend që përpiqet të rritet në mënyrë të qëndrueshme, ku stabiliteti nën një klimë në ndryshim formon shtyllën kurrizore të një të ardhmeje të qëndrueshme.” – theksoi Marianne Alker Eksperte e GIZ për çështje mjedisore dhe klimë.
Nga Baku i Azrebajxhanit përmes një video-mesazhi nga konferenca më e madhe në botë për ndryshimet klimatike COP29, ku po merr pjesë me mbështetjen e Qeverisë Gjermane., Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ndau përspektivën e tij mbi rolin e Kosovës në veprimet ndërkombëtare për klimën.
Nata e parë e “Klima në Fokus: Dokumentimi i Botës në Ndryshim”, u përmbyll me dokumentarin “I am Greta”, një film i cili tregon rrugëtimin e nxënëses Greta Thunberg nga një aktiviste e re deri te një zë global për veprimin për klimën.
Natën e dytë, më 14 nëntor u shfaq filmi “Taste the Waste”, i cili tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve të cilët u mblodhën për të shikuar se si në vit hidhen në plehra tonelata me ushqim derisa një numër i madh i njërëzve vuajnë nga uria.
Nata e fundit u përmbyll me shfaqjen e dokumentarit “Honeyland” të bletërritësës së egër të fundit në Maqedoni të Veriut, ku dashamirët e filmave patën mundësinë të ndjekin nga afër vështirësitë e gruas e cila lufton për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të ruajtur harmoninë me natyrën.
Me shfaqjen e dokumentarit të fundit, u përmbyll edhe aktiviteti “Klima në Fokus: Dokumentimi i Botës në Ndryshim” që u zhvillua në kuadër të kampanjës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ në bashkëpunim me Kino Armata, Dokufest dhe Goethe Institut.