Rreth 60 punonjës shëndetësorë, prej tyre 18 mjekë, kanë humbur jetën gjatë luftës me pandeminë COVID-19 në Kosovë. Ata humbën betejën me sëmundjen derisa ishin në krye të detyrës, por familjet e tyre nuk kanë pranuar ndonjë ndihmë nga shteti.
Sipas të dhënave që ka Oda e Mjekëve të Kosovës, tri nga 18 familjet e mjekëve të cilën kanë vdekur nga COVID-19, kanë fëmijë të mitur, pra nën moshën 18 vjeçare dhe janë në gjendje më të rëndë financiare.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë se disa herë është kontaktuar nga këto familje.
Oda e mjekëve të Kosovës secilës nga këto familje i ka ndihmuar me nga 1 mijë euro.
“Ne i kemi ndihmuar me një shumë financiare, nga 1 mijë euro, por ata kanë nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme”, ka thënë Sejdiu.
Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë thënë po ashtu se një mbështetje e tillë duhet të ofrohet për familjet e punonjësve shëndetësor të cilët vdiqën në krye të detyrës.
“Realisht duhet ta kenë një mbështetje të tillë, sidomos ata fëmijë që janë nën 18 vjet. Punëtorë shëndetësor, pra të vijës shëndetësore, janë mbi 60 që e kanë humbur jetën gjatë pandemisë, e kemi bërë kërkesën që shteti ta realizoj përmes mekanizmave të vet, ose shkurt me ligj ta rregullojë”, thanë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë propozuar që familjeve të mjekëve që kanë humbur jetën tu vazhdohet paga bazë të cilën e kanë pasur mjekët.
“Ne kemi propozuar që rroga bazë e mjekut që është rreth 600 euro derisa të rregullohet përmes pensioneve. Bëhet fjalë për 6 mijë euro në muaj, e kjo është e barabartë me kabinetin e një zëvendësministri”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se ishte formuar një grup punues të cilët do të trajtonin çështjen e fëmijëve të mjekëve që kanë vdekur në krye të detyrës.
“Çuditërisht në momentin kur janë shpallur rezultatet e zgjedhjeve të reja, komisioni ka konstatuar, përkundër refuzimit tonë se nuk ka bazë ligjore”, u shpreh ai.