Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare mbi 1 mijë pacientë në pritje për ndërhyrje në vena

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare lista e pritjes për ndërhyrje në vena është 1 200 pacientë, për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe shtretërve të mjaftueshëm. Gjithsej, në këtë klinikë janë 24 shtretër për të gjithë pacientët e hospitalizuar, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari i cili u shpreh se në këtë klinikë pacientët po presin që nga viti 2018 për të kryer ndërhyrje kirurgjikale në vena.

Ai deklaroi se Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është e vetmja në gjithë Kosovën, dhe si pasojë e kësaj, ka shtuar numrin e listës së pritjes.

Rudari tha se salla e dedikuar për probleme me vena po funksionon mirë, por që po i paralizon mungesa e anesteziologëve, ndonëse ka kirurgë për t’i kryer këto shërbime mjekësore.

“I kemi bërë rreth 1202 operacione, janë kryer rreth 8164 vizita , prej operacioneve vena varikoze që i kemi arritur t’i kryejmë janë 316 raste. Lista e venave është pak e gjatë. Stafin e kemi të mjaftueshëm, por problemin kryesor e kemi se jemi qendra e vetme referente, i kemi 24 shtretër”.

“Duke marrë parasysh patologjinë që e kemi, sepse jemi e vetmja qendër që punohet dhe asnjë qendër tjetër nuk punohet vaskularja. I kemi një ngarkesë të raportit sepse i kemi vetëm 24 shtretër edhe po kemi problem me hospitalizim të pacientëve”, u shpreh Rudari.

Rudari tutje tha se kjo listë e pritjes është shtuar në kohën e pandemisë.

Ai tregon se aktualisht e kanë vetëm një anesteziologë.

“Për momentin dihet që nuk kemi vende të mjaftueshme për t’i shtrirë pacientët kur operohen, problem tjetër kyç kemi me mungesë të anesteziologëve. Jo që nuk po duan të punojnë, por nuk kemi staf. Në momentin që janë të pranishëm, unë i ngarkoj ata edhe kolegët. Me të vërtetë e kishim ulur numrin e listës së pritjes, sepse para katër vitesh kemi pas probleme me salla të operacioneve, dhe tash e kemi inauguruar sallën e tretë vetëm për vena që mos të shtohet lista e pritjes. Mandej, filloi pandemia që është një prej faktorëve që na stopoj për me shkurtu listën e pritjes, e më pastaj u zvogëlua numri i anesteziologëve, duke marrë parasysh që një pjesë e tyre e kanë lëshuar QKUK-në dhe kanë shkuar privat, dy kanë vdekur nga Covid-19, dhe kështu që nuk kemi numër të mjaftueshëm të tyre”.

Imune nga ikja e mjekëve nuk është as kjo klinikë. Sipas Rudarit në këtë klinikë ka mungesë edhe të personelit të mesëm, pasi disa prej tyre janë në prag të pensionimit.

“Tre specializantë e kanë lëshuar klinikën tonë, kemi mbetur vetëm një, kurse një është nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës, por që nuk llogaritet që është pjesë e jona, sepse ai rikthehet si ta kryejë punën”.

“Gjithashtu për personel të mesëm kemi nevojë sepse do të pensionohen disa instrumentare dhe na nevojiten edhe disa. Për pajisje nuk jemi keq, përjashtimisht i kemi instrumentet kirurgjike të vjetra, janë 20-vjeçare dhe kemi bërë kërkesë por po shpresojmë që do të na sjellin të reja”, tha ai.

Drejtori i kësaj klinike po kërkon që sa më shpejt të fillojnë ofrohen këto trajtime kirurgjike edhe në spitalet e përgjithshme të Kosovës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë