Përmes simpoziumit “Epilepsia dhe shtatzënia”, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, me organizim të Shoqatës Kundër Epilepsisë së Kosovës, me mbështetjen e Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës.
Hapjen e këtij simpoziumi e bëri kryetari i Shoqatës së Neurologëve, profesori, Afrim Blyta i cili me këtë rast, tha se esenca e organizimit të Simpoziumeve të tilla është që të diskutohen arritjet e mëtutjeshme profesionale për profesionistët shëndetësorë.
“Puna e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë është një tregim që nuk përfundon, kurse esenca e organizimit të Simpoziumeve të tilla është që të diskutohen arritjet e mëtutjeshme profesionale për profesionistët shëndetësorë”, tha Blyta.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se takime të tilla janë të mirëpritura pasi që mund të diskutohet dhe shkëmbehen përvojat lidhur me sëmundjen e Epilepsisë.
“Takimet e tilla janë të mirëpritura ngase profesionistët e fushës kanë mundësinë të diskutojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre nga fusha e Neurologjisë, në këtë rast për sëmundjen e Epilepsisë”, u shpreh Azizi.
Kryetarja e Shoqatës Kundër Epilepsisë, profesoresha, Valbona Govori theksoi se këtë vit si temë boshte të diskutimeve kanë zgjedhur “Epilepsinë dhe Shtatëzaninë”.
Në diskutimet e tyre, neurologë dhe profesionistë të tjerë mjekësor diskutuan për rastet e epilepsisë tek shtatzënat dhe menaxhimin e sëmundjes.