Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kurti vizitoi Klinikën e Gjinekologjisë: “Këtu lind jeta edhe momentet fare të shkurtra bëhen vendimtare”

Më 8 mars 2024, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatës ditës vizituan Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, të cilët u mirëpritën nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj, Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe stafi shëndetësor i kësaj klinike.

Vizitën e tij në Klinikën e Gjinekologjisë, kryeministri Kurti e realizoi për të parë nga afër punimet në kuadër të renovimeve në katër reparte kësaj Klinike që mbulojnë nga gjithsej 13 reparte që numëron kjo klinikë. Këto renovime që mbulojnë një hapësirë prej 5000m2, përfshijnë korridoret, dhomat, shtretërit.

Në kuadër të këtij projekti për renovime përfshihet edhe digjitalizimi i pjesës hyrëse të Klinikës, pra tek recepsioni, i cili do të lehtësoj punën e stafit dhe do të minimizoj pritjet e gjata të pacientëve për të marrë shërbime.

Heronj të heshtur të gjallë, kështu i quajti kryeministri Kurti, mantelbardhët ndaj të cilëve shprehu falënderime dhe mirënjohje të thellë për angazhimin, kontributin, punën dhe përkushtimin e pandalshëm. “Le ta shfrytëzojmë këtë vizitë që t’ua kthejmë një pjesë të vogël të borxhit të pamatshëm që në parim është i pakthyeshëm”, përfundoi kështu kryeministri.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ashtu siç ishim dakorduar që Gjinekologjia të jetë në prioritet të kësaj qeverie për investime dhe përmirësimin e kushteve për gratë e vajzat tona, jam i lumtur që jemi pothuajse në mbarim të punëve të cilat i kemi diskutuar, e që në fillim na janë dukur të pamundshme.

“Jam i lumtur që pas këtyre renovimeve kushtet e juaja dhe potenciali i juaj për të dhënë shërbime sa më të mira për pacientet tona do të jetë në një nivel tjetër”, tha ai, duke falënderuar drejtorin e SHSKUK-së dhe atë të QKUK-së për bashkëpunimin dhe koordinimin e jashtëzakonshëm në arritjen e kësaj objektive.

Me këtë rast, edhe Drejtori i Gjinekologjisë, Dr.Zef Ndrejaj, tha se në këtë projekt që po punohet në jetësimin e tij, do të futen 3 shërbime të reja pas renovimeve që po bëhen në Klinikën e Gjinekologjisë, shërbime këto që përfshijnë Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, i cili pritet që shumë shpejtë të funksionalizohet pasi që pajisjet veçse janë në tenderim, Mjekësinë Fetale, Shërbimin e Amnoicentezës, ku ky i fundit nënkupton identifikimin e anomalive tek fëmijët në barkun e nënës që në muajt e parë të formimit. Ai shtoi se këto shërbime do të bëhen për herë të parë në Republikën e Kosovës, në QKUK, gjegjësisht në Klinikën Gjinekologjike.

Kryeministri i shoqëruar nga ministri Vitia, Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj dhe Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, zhvilluan një takim me stafin e kësaj klinike, të cilët shprehen falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen që vjen nga Qeveria përmes krijimit dhe përmirësimit të kushteve të punës, e cila për ta nënkupton edhe inkurajim e përkushtim më të lartë në ofrimin e shërbimeve më cilësore për pacientët.

Deklarimi i kryeministrit Kurti:

Faleminderit shumë doktor Zef,

Faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje të përzemërt,

Më lejoni që fillimisht të gjitha zonjave t’ua uroj 8 Marsin- Ditën Ndërkombëtare të Grave, sepse ka pasur një betejë të gjatë e cila ende nuk është e përfunduar për barazinë gjinore që ndodhet në thelb të barazisë shoqërore. Dhe besoj që këtë duhet ta dëshmojmë përditë, jo vetëm më 8 Mars, mirëpo më 8 Mars ne kujtojmë ato gra të cilat përgjatë dekadave, jo vetëm të këtij shekulli, por edhe atij të kaluar e më herët, kanë kontribuar e janë sakrifikuar në mënyrë që të jemi të barabartë në punë edhe në jetë.

Unë përgëzoj doktor Zefin, falënderoj doktor Leandritin që na shoqëroi mua dhe ministrin Arbenin, dy drejtorët e SHSKUK-së dhe QKUK-së, teksa qarkulluam korridoreve dhe këtyre dhomave që po renovohen në katër reparte gjithsejtë, pra Reparti i lehonave pas lindjes natyrore; Lehonave pas lindjes me prerje cezariane, por gjithashtu edhe hyrja e klinikës këtu, pra me ambulantë të pranimit dhe Ambulanta Specialisitike. Gjithsej rreth 2.5 milionë euro, me ç’rast nuk duhet harruar edhe klimatizimin edhe ventilimin qendror që është i një rëndësie të veçantë dhe digjitalizimin e shërbimeve që e rrit cilësinë e shërbimit, por gjithashtu edhe transparencën e proceseve dhe llogaridhënien e njerëzve të cilët janë përgjegjës.

Unë në veçanti u gëzova kur mora vesh që nuk do të ketë më dhoma me nga 6 deri në 9 shtretër, por maksimalisht 2 shtretër, kjo është tejet e rëndësishme edhe për suksesin e shërbimit që jep personeli, e gjithashtu edhe për kushtet në të cilat trajtohet pacientja ose pacienti.

Janë lajm i mirë edhe këto 3 shërbime të reja pra, Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, si dhe Mjekësia Fetale dhe Amniocenteza të cilat pa dyshim që do ta rrisin edhe reitingun e QKUK-së, në përgjithësi e në veçanti Klinikës Gjinekologjike. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht siç e dimë edhe ne nga politika do të rriten pritjet e pacientëve, pra pacientët kur iu tregoni se jepni më shumë shërbime dhe e keni ngritur cilësinë e shërbimeve, automatikisht ngriten edhe pritjet e tyre, kështu që duhet që bashkërisht atyre pritjeve t’iu dalim zot sa më mbarë e mirë, dhe me lehtësi e me shpejtësi.

Faleminderit në fund për atë që është më e rëndësishmja për kontributin, përkushtimin, punën, angazhimin që e bëni jo vetëm përditë e për çdo orë, por mbase për çdo minutë e për çdo sekondë, sepse këtu lind jeta edhe momentet fare të shkurtra bëhen vendimtare.

Prandaj, jeni heronj të heshtur, të gjallë të punës të cilët kurrë nuk do të mund ta marrin mirënjohjen e merituar publike, por le ta shfrytëzojmë këtë vizitë që t’ua kthejmë një pjesë të vogël të borxhit të pamatshëm që në parim është i pakthyeshëm.

Unë ju përgëzoj edhe një herë, e ju dëshiroj suksese në të ardhmen.

Youtube

Arkiva

Kategoritë