Albina Selmanaj
Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit trupi ngadalë mësohet me një rutinë të caktuar të marrjes së ushqimeve në kohë të veçanta të ditës. Lukthi shfrytëzon kohën e agjërimit për tu pastruar vetveten nga papastërtitë e grumbulluara për të bërë të mundur një tretje më efecientë.
Pas përfundimit të ramazanit shoqërohet festa e Bajramit e cila përcjellët me ushqime të shumta, ëmbëlsira, pije dhe lëngje nga të cilat ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në mënyrë që organizimi e sidomos lukthi të mos mundohet më shumë se sa duhet.
Në një intervistë për Familjajonë, gastroenterologu Visar Zekaj tregoi që shpesh herë personat që kanë agjëruar, në ditën e festës marrin ushqime të tepërta të cilat shkaktojnë pengesa të traktit digjestiv.
“Gjatë festimit të Bajramit njerëzit zakonisht marrin ushqime, ëmbëlsira e pije të shumta duke mos pasur kujdesin e duhur, duke marr ushqime të tepërta të cilat po ashtu shoqërohen edhe me pengesa të traktit digjestiv.”, tha Zekaj.
Sipas Zekaj, pacientët që kanë ankesa të refluksit gastroezofagela duhet pasur kujdes në marrjen e ëmbëlsirave, shkak i të cilave pacientët mund të kenë djegësim dhe zjarrmi në gjoks.
“ Marrja e tepërt e mishit të kuq mund të shkaktojë dhimbje epigastrike, mundim, nauze e në disa raste edhe të vjella. Pacientët me gastrit kronik duhet pasur kujdes të mos e teprojnë. Kurse pacientët që kanë ankesa të refluksit gastroezofagela duhet patur kujdes në marrjen e ëmbëlsirave, të cilat është vërtetuar që shkaktojnë keqësim të simptomave të refluksit si djegësimë në gjoks, zjarrmi gjoksi, gogësimë etj. “, shtoi Zekaj.
Tutje Zekaj këshilloi pacientët që të mos marrin ushqim të tepruar por të ushqehen shpesh dhe nga pak.
“Që të mos kemi ankesa të lukthit është mirë që gjatë festës të mos marrim ushqim të tepruar, por të ushqehemi shpesh dhe nga pak, kurse pacientët me pengesat e lartcekura duhet që të kenë kujdes të shtuar në mënyrë që të mos shfaqen problemet e lartpërmendura.”, këshilloi ai.
Ndryshe, lugthi, lukthi ose stomaku është një zgjerim në formë qese i traktit digjestiv, që është vazhdim ezofagut lart dhe vazhdon në duden poshtë.