Albina Selmanaj
Mungesa e barnave esenciale në spitalet publike të Kosovës është një problem i vazhdueshëm që po rëndon mbi qytetarët, të cilët shpesh detyrohen t’i sigurojnë vetë medikamentet e nevojshme.
Eltona Muji-Shala, nënë e një djali 11-vjeçar, është duke u përballur me këtë vështirësi. Djali i saj ka probleme me ADHD (Çrregullimi i Deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit) dhe ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm me hormon të rritjes.
Ky hormon është në mungesë që prej muajit gusht, e që nga ajo kohë, ajo është detyruar ta sigurojë atë nga xhepi i vetë për shkak të mungesës në QKUK.
“Që nga gushti, ky hormon mungon në spital. Nuk jam e vetmja – qindra prindër të tjerë presin furnizimin, por nuk po ndodh. Na thonë se është mungesë globale, por në barnatoret private ai gjendet, vetëm se çmimi është i papërballueshëm”, shprehet ajo për Familjajonë.
Lufta gjashtëvjeçare që ajo dhe djali i saj kanë bërë për të menaxhuar këtë sëmundje tani rrezikon të dështojë për shkak të mungesës së këtij hormoni, i cili ka një kosto të lartë në barnatoret private.
“Në disa barnatore, hormoni kushton nga 135 deri në 140 euro. Djali im ka nevojë për gjashtë lapsa në muaj dhe kjo është e pamundur për ne me kushtet që kemi”, thekson ajo.
Farmacisti Alban Desku, i cili është në kontakt me shumë pacientë që nuk mund të gjejnë barnat e nevojshme në spitalet publike, ka theksuar se shumë barna të nivelit sekondar dhe terciar mungojnë jo vetëm në spitalet publike, por edhe në barnatoret private.
“Ka shumë barna që duhet të jenë vetëm në nivel terciar e sekondar dhe në mungesë të tyre kërkohen në barnatoret private, por edhe aty mungojnë. Disa nga to janë METHYLERGOMETRIN AMP (GJINEKOLOGJI), PREPIDIL GEL (GJINEKOLOGJI) dhe pothuaj të gjitha infuzionet (Nacl 0.9%, Glukoze 5%, etj). Të gjitha këto, tani mungojnë edhe në barnatoret private dhe për një kohë të gjatë nuk ka furnizim të rregulltë me to“, tha ai.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë krizë është ligji për unifikimin e çmimeve të barnave, i cili ka hasur në vështirësi për zbatim.
“Jemi duke hasur në vështirësi me zbatim të kësaj çmimoreje sepse nuk është marrë për bazë stoku i vjetër, që dmth, nëse një artikull me çmim të vjetër të furnizimit është me i lartë se çmimi i shitjes me çmimoren e re, praktikisht nuk mund të aplikohet sepse ka një rregullore të TVSH që nuk e lejon këtë gjë“, deklaroi Desku.
Për të sqaruar këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një përgjigje për Familjajonë, duke deklaruar se furnizimi me barna për Kujdesin Parësor Shëndetësor është i mjaftueshëm dhe se mungesat e barnave janë të pritshme pas implementimit të Ligjit të ri për unifikimin e çmimeve.
Ministria, gjithashtu, ka theksuar se furnizimi me barna në spitalet dhe klinikat publike është përgjegjësi e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
“Furnizimi i këtyre institucioneve bëhet bazuar në kërkesat e rregullta dhe në bazë të planifikimit të tyre, ku lirisht mund të potencojmë se nuk ka problem në furnizim për barna dhe material shpenzues. Mungesat e barnave janë të pritshme për shkak të implementimit të Ligjit të ri për unifikimin e çmimeve“, u tha nga MSH.
Ndërkohë, Dr. Dardane Mehaj, shefe e Sektorit të Furnizimit me Barna në QKUK, pranon se disa barna esenciale mungojnë për arsye të ndryshme.
“Në ShSKUK, furnizimi është duke vijuar normalisht, por në disa produkte medicinale të caktuara nga Lista Esenciale ka edhe mungesa për shkaqet si në vijim: Disa barna esenciale nuk janë të regjistruara në Kosovë me çertifikatën e autorizimin e marketingut dhe rrjedhimisht nuk mund të kontraktohen;Dështimi në procedura të prokurimit për shkak të ofertave të papërgjegjshme“
Me 1 shkurt të këtij viti, hyri në fuqi vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve të barnave./FamiljaJonë/