Mar, Maj 17, 2022
Banner Top
Banner Top
KPPM merr vendim që produkti  Ranitidinë të largohet nga tregu, për shkak të papastërtisë kancerogjene

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), ka njoftuar se ka marrë vendim për largimin nga tregu të produktit Ranitidinë.

Këtë vendim AKPPM ka thënë se e ka marrë bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian përkatësisht Komitetit për Barna për Përdorim Human (CHMP) nga EMA (Agjencia Evropiane e Barnave) konfirmon vendimin për pezullimin e barnave me substancën Ranitidinë për shkak të pranisë së niveleve të ulta të papastërtisë së quajtur N-nitrosodimetilaminë (NDMA) e cila klasifikohet si kancerogjen i mundshëm për njerëzit.

“Të dhënat në dispozicion për sigurinë nuk tregojnë se Ranitidina rrit rrezikun e kancerit dhe çdo rrezik i mundshëm ka të ngjarë të jetë shumë i ultë. Megjithatë, NDMA është gjetur në disa barna Ranitidinë me nivele në rritje e vërejtur gjatë jetëgjatësisë së saj. Në bazë të këtij vendimi produkti duhet të tërhiqet nga të gjitha institucionet shëndetësore (barnatore, spitale etj) dhe nuk duhet të vihet në dispozicion të pacientëve apo tu administrohet atyre”, thuhet në njoftimin e AKPPM.

Ranitidina përdoret për reduktimin e acidit në lukth te pacientët me sëmundje të tilla si urthi dhe ulçera e lukthit. Alternativat janë në dispozicion dhe pacientët duhet të kontaktojnë me profesionistët e tyre të kujdesit shëndetësor për këshilla se cilin bar duhet ta përdorin.

Arkiva

Kategoritë