Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Koronavirusi në Shqipëri, vetëm dy raste në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm dy raste të reja me Covid-19.

Ky është numri më i ulët që prej datës 9 mars, kur u konfirmuan dy rastet e para.

Janë testuar 168 qytetarë dhe prej tyre kanë rezultuar pozitivë vetëm dy raste në Durrës, që janë kontakte të rasteve të mëparshme, shkruan A2 CNN.

Raporti i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri:

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri. Në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital.

Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë. Janë testuar 168 qytetarë si të dyshuar si të prekur me Covid19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës. Të shëruar janë 12 qytetarë.

Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetëizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një korbë epidemike të butë në vend.

Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte.

Covid-19 – Statistika (18 Maj 2020)

Testime totale 12722

Raste pozitive 948

Raste të shëruara 727

Raste Aktive 190

Humbje jete 31

(Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 69

Krujë 44

Durrës 31

Shkodër 15

Kamëz 12

Berat 10

Fier 4

Elbasan 2

Kurbin 1

Mirditë 1

Korçë 1

Youtube

Arkiva

Kategoritë