Mër, Jan 26, 2022
Banner Top
Banner Top
Kunushevci: Rritja në ambient të dhunshëm, një nga shkaktarët pse kemi sot fëmijë të dhunshëm

Intervistë me Labinot Kunushevcin, sociolog

Përveç në shëndetin fizik, pandemia COVID-19 ka shtrirë ndikimin e saj negativ edhe në rritjen e problemeve sociale siç është dhuna në familje. Ky fenomen, që në vete ngërthen probleme të tjera më të thella, ka zënë vend në shumë shtëpi, veçmas në kohën e izolimit.

Të qëndruarit në shtëpi sugjeron shpenzim të kohës efektive me familje, por që paradoksalisht në disa raste ka sjellë të kundërtën. Statistikat gjatë këtyre pesë muajve kanë treguar rritje të numrit të raste të dhunës në familje. Sipas asaj që bën të ditur Radio Evropa e Lirë, fenomeni i dhunës në familje gjatë kohës së virusit është rritur për 30 për qind, ashtu që, pashmangshëm, lind nevoja e një kujdesi të veçantë për rastet e tilla.

Nga burimet e Policisë së Kosovës tregohet se gjatë këtij viti janë regjistruar më shumë se 650 raste të dhunës në familje, shifër kjo alarmante dhe dukshëm më e lartë se vitin e kaluar.

Situatën e tillë nuk e sheh të favorshme as sociologu Labinot Kunushevci, i cili, në një intervistë për portalin Familja jonë, na shpjegon faktorët sociologjikë që ndikojnë në shpeshtimin e kësaj dukurie.

Sipas tij, dhuna si akt ndikohet nga shumë faktorë që krijojnë pabarazi, probleme stresogjene, probleme ekonomike, mosmarrëveshje, frustrim shoqëror, kriza të natyrave të ndryshme etj. Problemi, sipas Kunushevcit, qëndron te mos hartimi i politikave të duhura nga institucionet përkatëse për këto raste, kësisoj as dhuna nuk mungon.

“Familja moderne është reduktuar në funksionin konsumues dhe riprodhues. Në anën tjetër, shteti dhe sistemi politik nuk kanë asnjë strategji se si t’i qasen familjes. Do të thotë që shteti merret vetëm me raportime dhe statistika të dhunës në familje, me denoncime dhe në raste të rralla ndëshkime, por jo me parandalimin e saj”, shprehet ai.

Kunushevci më tutje shpjegon se në këto dukuri luan rol të madh edhe statusi social i pabarabartë, ku më së shumti janë të prekura tipet e familjeve me kriza humane dhe ekonomike, pasi te këto tipe problemi qëndron të mospërgjegjësia e anëtarëve familjarë. Në anën tjetër, edhe të familjet patriarkale dhuna ende shfaqet dendur.

Pa dyshim, një kategori e prekur rëndë ndaj këtyre dukurive janë fëmijët të cilët nuk i kalojnë lehtë pasojat e dhunës që shkaktohet në familje. I pyetur për këtë, Kunushevci shpjegon se dhuna në prezencë të fëmijeve shkakton dëmë të mëdha psikike dhe emocionale te ky i fundit, duke ndikuar kështu që fëmija të krijojë koncepte të gabuara gjinore.

“Dhuna në prezencë të fëmijës është më shumë se një rast dhe më shumë se një imazh i keq sepse ajo ndikon në psikologjinë dhe emocionalitetin e tij, në formimin e personalitetit, në mënyrën e konceptimit të raportit familje (sidomos burrë – grua – babë – nënë). Një nga shkaktarët pse kemi sot fëmijë të dhunshëm është pikërisht sepse ata rriten në ambiente të dhunshme”, shprehet ai.

Kunushevci më tutje rekomandon institucionet që t’i kushtohet më shumë kujdes problemeve familjare në mënyrë që rastet e tilla të dhunës të jenë më të menaxhueshme. Ai, një pjesë të problemit e sheh edhe si ekonomik, prandaj bën thirrje që të zvogëlohet pabarazia ekonomike.

Në pyetjen se a ka mundësi të rritjes së rasteve të dhunës pas përfundimit të pandemisë, ai u përgjigj se zvogëlohen problemet ekonomike, rastet e tilla do të jenë të menaxhueshme.

Prej dy formave të manifestimit të dhunës, ajo psikike është më e rrezikshme dhe afatgjatë, gjykuar nga Konushevci. Përveç kësaj, ai bën me dije se dhuna e tillë është më e fshehur dhe e padenoncueshme, ku si rrjedhojë shkakton dëme më të mëdha te viktima.

Arkiva

Kategoritë