Që në moshën 40 vjeçare, por ka raste edhe më përpara, ndodh të na ndjekë kudo, pa u larguar për asnjë moment. Pikërisht atëherë zë fill tundimi nga ushqimet e preferuara por që shumë shpejt kthehen në fruta të ndaluara. Arsyeja? Kolesterina. Çfarë rreziqesh, fsheh, në të vërtetë, kjo sëmundje dhe si mund ta parandalojmë atë?
Tashmë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kolesteroli i lartë, apo thjesht kolesteroli, nënkupton një dietë të kujdesshme për të mbrojtur funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut. Por çfarë njohurish të nevojshme zotërojmë rreth “vlerave” personale të kolesterolit, që duhet të ketë secili prej nesh?
Së pari duhet të kemi të qartë se për çfarë kolesterine flasim. Tashmë jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e HDL-së dhe LDL-së në gjakun tonë. Shuma e tyre përbën kolesterolin, për të cilin diskutojmë.
E para, i ashtuquajturi “i mirë”, përbën atë që shpesh edhe vlerësohet si kolesterina mbrojtëse. I rrezikshëm, sikurse duket, mbetet të jetë i dyti, i ashtuquajturi “i keq”. Nëse sasia e përgjithshme e kolesterinës i kalon të 250 miligramët, ka shumë mundësi që LDL-ja të jetë rritur, transmeton Telegrafi.
Sëmundja, përbën shkakun?
Nëse duke u bazuar në analizat e gjakut mjeku mendon se sasia e kolesterolit është e rritur, përpara se ai t’ju vendosë në regjim dietor-ushqimor dhe t’ju përcaktojë mjekimin e duhur, duhet të kontrollojë një sërë elementesh të tjerë:
• Të sigurohet se pacienti nuk ka përdorur ndonjë kure ilaçesh, gjë e cila mund të ketë shkaktuar një gjë të tillë.
• Të kryejë analizat e nevojshme nga ku provohet se pacienti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër, e cila mund të ketë sjellë rritjen e kolesterinës në gjak. Nëse realizohen të gjitha këto dhe vlerat e kolesterinës mbeten te larta, atëherë mjeku mund të ndërmarrë terapinë me ilaçe dhe dietën e caktuar, për të ulur sasinë e tij.
Midis sëmundjeve, të cilat mund të shkaktojnë lehtësisht rritjen e kolesterinës është edhe diabeti, anoreksia etj.
• Nëse përjashtohet prania e sëmundjeve të tjera, atëherë mund të mendojmë se vuajmë nga niveli i lartë i kolesterinës, e cila në këtë rast është e lindur (nuk ka ndonjë arsye tjetër). Në këtë moment shtrohet pyetja: është realisht i lartë dhe sa është me saktësi kjo vlerë?
Dhe nëse përpara disa vitesh, supozohej si kufiri më i lartë sasia prej 200 miligramësh, sot çdokush ka një kufi të tij të dëshiruar, të cilit i korrespondon një sasi individuale kolesterine, në përputhje me gjendjen e funksionimit të zemrës. Ndaj shumë mjekë nuk interesohen më për shumën e kolesterinës, por vetëm për nivelin e LDL-së në gjak.