Hën, Tet 14, 2024
Banner Top
Banner Top
Koha e trajtimit vlen për mbijetesën nga kanceri i gjirit.

Pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë më vonë se 120 ditë nga diagnostikimi me kancer gjiri kanë pasur mbijetesë më të ulët se pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë jo më vonë se 120 ditë nga diagnostikimi. Të dhënat janë publikua në një analizë të madhe retrospektive, të publikuar në Annals of Surgical Oncology.

Një tjetër studim i prezantuar në Simpoziumin e Kancerit të Gjirit në San Antonio – 2018, tregoi se pacientët më kancer gjiri të nëntipit “Triple Negative” kishin mbijetesë më të ulët nëse kimioterapia ishte filluar më vonë se 30 ditë nga kirurgjia.

Studiuesit kanë përdorur të dhëna nga National Cancer Database për të identifikuar pacientët me stad të sëmundjes I, II ose III, të cilët ishin trajtuar me kirurgji e më pas i ishin nënshtruar kimioterapisë në harkun kohor 2010 – 2014. Intervali kohor nga diagnoza në kryerjen e biopsisë dhe aplikimin e kimioterapisë është analizuar dhe krahasuar me mbijetesën mesatare të pacientëve.

Nga e gjithë baza e të dhënave janë identifikuar 172.043 pacientë. Kirurgjia konservative e gjirit ishte kirurgjia më e shpeshte e kryer (90.488 pacientë), pasuar me mastektominë. Mosha mesatare ishte 55 vjeç në kohën e diagnostikimit dhe 99% e pacientëve ishin gra.

Për të gjithë pacientët, koha mesatare nga diagnostikimi në kirurgji ishte 27 ditë. Koha mesatare nga kirurgjia në fillimin e kimioterapisë ishte rreth 43 ditë.

Koha mesatare nga diagnoza në fillimin e kirurgjisë ishte rreth 74 ditë dhe shumica e pacientëve – 89% fillonin kimioterapinë jo më vonë se 120 ditë nga diagnoza. Lloji i kirurgjisë ishte i lidhur me vonesat në fillimin e kimioterapisë, ku pacientet të cilat i nënshtroheshin kirugjisë konservative kishin më pak vonesa në fillimin e kimioterapisë se pacientët të cilët i nënshtroheshin mastektomisë.

Analiza tregoi se pavarësisht llojit të kirurgjisë, pacientët të cilët fillonin kimioterapinë më vonë se 120 ditë nga koha e diagnostikimit kishin jetëgjatësi më të ulët krahasuar me pacientët të cilët fillonin kimioterapinë brenda këtij intervali kohor.

Lidhja ndërmjet fillimit të kimioterapisë dhe jetëgjatësisë ishte më e shprehur në kancerin e gjirit HER2-pozitiv, pasuar me kancerin e gjirit “Triple Negative”.

Mesazhi përfundimtar që vjen pas kësaj analize është se kimioterapia duhet të fillohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe se vonesa në fillimin e saj mund të ndikoj në jetëgjatësi. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë