Një kërcënim për bombë pasditen e së hënës në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës.
Zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara, ka njoftuar se pasi është pranuar kërcënimi udhëtarët dhe personeli janë evakuar .
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar. Ekipet emergjente janë involvuar ne detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara”, ka njoftuar Gara.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se informatat për kërcënim janë pranuar rreth orës 16:00.
“Rreth orës 16:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës”, deklaroi Ahmeti.
Kjo nuk është hera e parë që paraqiten kërcënime me bombë në Aeroportin e Prishtinës, por që ato kërcënime kanë dal të jenë të rrejshme.