Drejtoria Rajonale në Gjakovë, përmes hetuesve policorë në Gjakovë, kanë arritur t’i identifikojnë dy persona të përfshirë në veprimtari kriminale.
Ndonëse dy të kërkuarit janë kamufluar në forma të ndryshme që të mos zbulohen, hetimet e avancuara të policisë rezultuan të suksesshme dhe ata u kapën.
Personat e dyshuar (M.I, viti i lindjes 2003 dhe I.B., viti i lindjes 1999) janë arrestuar mbi akuzat se janë të përfshirë në më shumë se 25 vjedhje të rënda nëpër lokacione të ndryshme.
Të dyshuarit gjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës kanë pranuar se në bashkëveprim me persona të tjerë kanë kryer vjedhjet për përfitime materiale, cak i të cilave kanë qenë lokale, bare, restorante e lokacione të tjera.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar mjete të ndryshme, përderisa personat e dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, janë dërguar në mbajtje.