Pre, Maj 20, 2022
Banner Top
Banner Top
Kanceri i qafës së mitrës, parandalimi dhe simptomat- Onkologia, Dr. Sc. Vildana Goga Çmega

Shkruar nga : Albina Selmanaj

Çdo vit, java e fundit e janarit i kushtohet vetëdijesimit së kancerit të qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës është lloji i katërt më i zakonshëm i kancerit për gratë, me incidencën dhe shkallën më të lartë të vdekshmërisë.

Në Kosovë gjatë vitit 2021 me këtë sëmundje janë regjistruar 66 raste të reja, me një rritje prej 4 % krahasuar me vitin e kaluar. Prej tyre 45% i takojnë moshës 35-45 vjeçare ndërsa 55% moshës mbi 50 vjeç.

Me rast të javës së ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës, Dr. Sc. Vildana Goga Çmega në një intervistë për Familjajonë, tregoi për mënyrën e parandalimit të kësaj sëmundje dhe përmendi disa nga simptomat që shfaqen si pasojë e këtij kanceri.

Kanceri i qafës së mitrës mund te parandalohet me ndihmën e ekzaminimit të rregullt të femrës me PAP test ( metode depistimit te hershem), trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës, si dhe duke shtuar vaksinimin kunder HPV”, tregoi Onkologia.

Sipas Gogës shumica e rasteve me këtë sëmundje nuk kanë simptoma mirëpo, nëse ato shfaqen mund të jenë të lehta ose të rënda, varësisht nga faza në të cilën është pacienti.

Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual, etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda”, shtoi ajo

Çdo grua mund të jetë e rrezikuar nga kanceri i qafës së mitrës, por sipas Dr.Goga rreziku më i madh që një grua të preket nga kjo sëmundje është atëherë nëse ajo ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale.

Po ashtu ajo mund të jetë e rrezikuar nëse  ka partnerë seksual të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë pasur shumë partnere seksuale, ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin, alkoolin, kontraceptivet, apo mungesa e vazhdueshme e higjienës se pjesëve intime, si dhe faktori gjenetik.”, theksoi Doktoresha.

Mundësitë që t’i shmangemi komplet rrezikut të infektimit nga kjo sëmundje janë po thuajse të pa mundura, mirëpo Onkologia Goga këshillon që të kemi kujdes dhe të përdorim mjetët mbrojtëse.

“Për t’ju shmangur rrezikut komplet nga HPV është abstenimi seksual, gjë e cila është e pa mundur qe së paku njëherë në jetë mos të ndodh , por me konkretja është mos ndërrimi i partnereve seksual nga te dy gjinitë, përdorimi i kondomeve dhe mjeteve të tjera mbrojtëse, si dhe vaksinimi për HPV”, tregoi ajo.

Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë./Familjajonë

Këtu mund të gjeni edhe pjesën informuese rreth kancerit të qafës së mitrës nga Familjajonë me rastin e javës së ndërgjegjësimit mbi këtë sëmundje.

Arkiva

Kategoritë