Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Ja, si mund t’i dëmtojë virusi respirator sincicial qelizat nervore

Një kërkim ka hedhur dritë mbi një zbulim surprizues në lidhje me Virusin Respirator Sincicial (RSV), infeksion që zakonisht prek fëmijët dhe të moshuarit. Studimi i publikuar nga Journal of Infectious Diseases zbulon se si RSV-ja mund të infektojë qelizat nervore dhe të shkaktojë një inflamacion që sjell dëmtime të nervave.

Qëkur ai u zbulua në vitin 1956, mendohej se infektonte kryesisht rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, ky studim tregon se RSV-ja mund të depërtojë edhe te qelizat nervore, duke formuar një lidhje të qartë ndërmjet virusit dhe simptomave neurologjike të konstatuara te fëmijët.

Zbulime pararendëse kanë vërtetuar gjurmë në lëngun cerebrospinal të fëmijëve të prekur nga krizat epileptike. Më tej, 40% e fëmijëve më të vegjël se 12 vjeç, që kanë rezultuar pozitivë me RSV, kanë shfaqur shenja të encefalopatisë akute, dëmtim cerebral që mund të shkaktojë konfuzion, humbje kujtese, ose vështirësi konjitive.

Gjatë kërkimit janë përdorur kultura nervore periferike 3D të kultivuara që nga qelizat staminale dhe embrionet e miut. Pas zbulimit se mund të jenë infektuar me RSV, kërkuesit kanë konstatuar se virusi nxit çlirimin e kemokinave (proteina që luftojnë infeksionet duke kontrolluar qelizat imunitare) dhe shkakton inflamacion të konsiderueshëm.

Në nivele të ulëta të infeksionit të RSV-së, nervat bëhen hiperreaktive ndaj stimulimeve. Në nivele më të larta, është vëzhguar degjenerim progresiv i nervit dhe rritje e nivelit të toksicitetit për shkak të inflamacionit të tepërt.

Studimi ka zbuluar edhe se RSV mund të hyjë në palcën kurrizore përmes nervave periferikë, pavarësisht se nuk e ka aftësinë për të hyrë direkt në neuronet spinale. Do të nevojiten kërkime të mëtejshme për të eksploruar këtë mekanizëm, por studiuesit hedhin teorinë se, duke përdorur nervat periferikë, virusi mund të tejkalojë barrierën hemato-encefalike dhe të hyjë në sistemin nervor qendror e të infektojë trurin. Nëse ky fakt konfirmohet, mund të konstatohet një lidhje ndërmjet RSV-së dhe çrregullimeve të tjera neurologjike dhe të zhvillimit.

“Rezultatet theksojnë ndikimet potencialisht afatgjata të sëmundjes, si dhe rëndësinë e masave parandaluese, siç janë dy vaksinat kundër RSV-së të miratuara nga FDA në vitin 2023. Studimi ynë tregon jo vetëm se inflamacioni aktivizon në mënyrë indirekte nervat, por edhe se virusi mund të depërtojë drejtpërdrejtë në ta”, shpjegon dr. Giovanni Piedimonte, zv/president i kërkimit. Ky hiperreaktivitet nervor mund të shpjegojë se pse fëmijët që preken nga RSV-ja kanë tendencën që të shfaqin simptoma astmatike më pas.

Youtube

Arkiva

Kategoritë