Kosova këtyre ditëve ka pasur shtim të rasteve të reja me COVID- 19. Por, përkundër pranisë së rasteve, nga institucionet shëndetësore kanë thënë për Radio Kosovën se situata epidemiologjike mbetet e qetë, dhe se nuk ka vend për panik.
Në Kosovë këtyre ditëve ka filluar të rritet dukshëm numri i rasteve me COVID -19. Vetëm brenda dy javëve sipas zëdhënëses së Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë, Era Pireva, në Kosovë janë regjistruar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19.
Ajo tha se nga rastet e konfirmuara kryeqyteti prin me numrin më të madh të raste pozitive.
“Në dy javët e fundit në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe një rast i vdekjes me COVID-19. Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave, rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga Komuna e Prishtinës, me 25 raste”, deklaroi Pireva.
E disa nga qytetarët, që i ka intervistuar Radio Kosova lidhur me vaksinimin, thanë së do të vazhdojnë të vaksinohen edhe me doza të tjera. Por kishte edhe qytetarë të tjerë që mendojnë ndryshe për vaksinimin.
“Nuk po e shoh të nevojshme të vaksinohem se nuk është e arsyeshme. Veç kam pasur të shkoj jashtë vendit se as të parën as të maramën nuk e kisha marrë. Më kanë munduar e para dhe e dyta e nuk mendoj ta marrë një herë”, tha një qytetar.
“Po jam vaksinuar me 3 doza, dhe nëse ka nevojë e marr edhe të 4. Kur i kam marrë këto të tria e marr edhe të katërtën. Po tash varet, në qoftë se na preferojnë patjetër për udhëtime ose na e kushtëzojnë,po e marr se si do që të jetë duhet t’i respektojmë rregullat”, tha një qytetar tjetër.
Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, përmes telefonit i ka thënë Radio Kosovës se nuk ka asnjë arsye për panik dhe se situata me COVID-19 është stabile. E nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se nuk do të ketë shtrëngim të masave por apelojnë për vaksinim./RTK/