Die, Shk 16, 2025
Banner Top
Banner Top
INTERVISTË: Ndikimi i endometriozës në mundësitë për të ngelur shtatzënë

Endometrioza është një nga çrregullimet më të zakonshme që prek sistemin riprodhues të grave, ku indi që mbulon brendësinë e mitrës rritet jashtë saj, shpesh në vezore, tubat fallopiane, dhe pjesë të tjera të legenit.

Për portalin FamiljaJonë, gjinekologu Dr. Driton Prenaj ofron informacione mbi endometriozën dhe ndikimin e saj në shëndetin riprodhues. Ai shpjegon se si kjo gjendje ndikon në ciklin menstrual dhe ovulacionin, duke përmendur simptomat, faktorët e rrezikut dhe diagnozën.

Dr. Prenaj gjithashtu thekson rëndësinë e trajtimeve efektive për menaxhimin e endometriozës, duke përfshirë medikamentet për lehtësimin e dhimbjes, terapitë hormonale dhe kirurgjinë. Ai ndan gjithashtu këshilla praktike për ndryshime në stilin e jetesës, duke sugjeruar ushqime të shëndetshme, aktivitet fizik dhe teknika alternative si joga dhe akupunktura për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Për më shumë lexoni përgjigjet e plota më poshtë.

INTERVISTA E PLOTË:

• Çfarë është endometrioza dhe si ndikon ajo në sistemin riprodhues të gruas? 

Endometrioza është një gjendje kronike ku indi endometrial (shtresa e brendshme e mitrës) rritet jashtë mitrës, shpesh në vezore, tubat fallopiane, dhe pjesë të tjera të legenit. Kjo mund të shkaktojë dhimbje dhe probleme me fertilitetin.

 • Cilat janë simptomat më të zakonshme të endometriozës, dhe si mund të dallohen ato nga dhimbjet e zakonshme menstruale? 

Simptomat përfshijnë dhimbje të forta menstruale, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, gjakderdhje të tepërt ose të parregullt, dhe vështirësi në mbetje shtatzënë. Ndryshe nga dhimbjet normale menstruale, dhimbjet e endometriozës janë zakonisht më të rënda, vazhdojnë gjatë gjithë ciklit dhe prekin aktivitetet e përditshme.

 • Si bëhet diagnostikimi i endometriozës? 

Diagnostikimi bëhet përmes historisë klinike, ekzaminimit fizik, ekografisë ose MRI-së. Metoda më e saktë është laparoskopia, një procedurë kirurgjikale minimale invazive.

 • Cilat janë faktorët që mund të kontribuojnë në zhvillimin e endometriozës? A ka ndonjë lidhje me historinë familjare? 

Faktorët përfshijnë nivele të larta të estrogjenit, cikle menstruale të shpeshta ose të gjata, dhe histori familjare të endometriozës. Gratë me një të afërm të prekur kanë më shumë gjasa të zhvillojnë gjendjen.

 • Si ndikon endometrioza në fertilitetin e grave? Cilat janë mundësitë për gratë që dëshirojnë të ngelen shtatzëna dhe kanë këtë gjendje? 

Endometrioza mund të ndikojë negativisht në ovulacion dhe implantim, duke ulur shanset për shtatzëni. Trajtime si fertilizimi in vitro (IVF) mund të ndihmojnë gratë që dëshirojnë të kenë fëmijë.

 • Cilat janë trajtimet më të zakonshme për endometriozën?  

Trajtimet përfshijnë medikamente për lehtësimin e dhimbjes, terapi hormonale për të ngadalësuar rritjen e indeve dhe kirurgji për të hequr indin e prekur.

• A ekzistojnë terapi alternative ose ndryshime në stilin e jetesës që mund të ndihmojnë në menaxhimin e endometriozës? 

Aktiviteti fizik i rregullt, një dietë anti-inflamatore dhe teknika si joga apo akupunktura mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave.

•Si ndikon endometrioza në shëndetin mendor të grave, dhe cilat janë disa nga sfidat emocionale që ato përballen? 

Dhimbjet kronike dhe problemet me fertilitetin mund të shkaktojnë stres, ankth dhe depresion te gratë me endometriozë. Mbështetja emocionale dhe këshillimi janë të rëndësishme.

•A ka ndonjë lidhje midis endometriozës dhe rrezikut për zhvillimin e kancerit të vezoreve?

Gratë me endometriozë kanë një rrezik të lehtë të rritur për zhvillimin e kancerit të vezoreve, megjithatë, ky rrezik mbetet relativisht i ulët. Kontrolli i rregullt mjekësor është i rekomanduar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë