Hën, Mar 17, 2025
Banner Top
Banner Top
Intervistë me Dr. Vildana Goga: Parandalimi i kancerit

Krenare Hoti

Dita Botërore e Kancerit shënohet çdo vit më 4 shkurt.

Kjo ditë synon të promovojë ndërgjegjësimin për kancerin. Gjithashtu ndihmon në forcimin e veprimeve që përpiqen të përmirësojnë kujdesin, zbulimin, masat parandaluese dhe trajtimin e kancerit.

Me këtë rast, Familja Jonë ka intervistuar doktoreshën Vildana Goga që të na tregoj më shumë rreth faktorëve të rrezikut të kancerit, por edhe masave parandaluese të tij.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë.

  1. Cilat janë faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për zhvillimin e kancerit dhe si mund t’i shmangim këta faktorë?

Një faktor rreziku është diçka që rrit mundësinë për t’u prekur nga kanceri. Llojet e ndryshme të kancerit kanë faktorë të ndryshëm rreziku. Shumë faktorë rreziku lidhen me stilin e jetesës, të tillë si pirja e duhanit, marrja e tepërt e diellit dhe pasiviteti fizik. Këta janë faktorë rreziku që mund të ndryshohen dhe kontrollohen. Faktorë të tjerë rreziku janë gjëra që nuk mund të ndryshohen ose kontrollohen, si p.sh. plakja dhe historia familjare e kancerit. Shmangia nga faktorët që mund të kontrollohen mund të ulë mundësinë e sëmundshmërisë nga llojet e ndryshme të kancerit.

  1. Si mund të kontribuojmë në parandalimin e kancerit përmes ndryshimeve në stilin e jetesës?

Parandalimi i kancerit mund të arrihet nëpërmjet ndryshimeve të stilit të jetesës që reduktojnë rreziqet dhe forcojnë shëndetin e përgjithshëm. Si p.sh.: Ushqyerja e shëndetshme, mbajtja e një peshe të shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, shmangia e duhanit dhe alkoolit, mbrojtja nga rrezatimi i diellit, vaksinimi kundër infeksioneve të lidhura me kancerin dhe kontrollet mjekësore të rregullta.

  1. Cilat janë rekomandimet për parandalimin e kancerit për ata që kanë histori familjare të sëmundjes?

Nëse historia familjare e kancerit është pozitive, rreziku për t’u sëmurë nga kanceri mund të jetë më i lartë; andaj, edhe kujdesi duhet të jetë më i shtuar në këto raste, duke pasur parasysh konsultat e shpeshta dhe të hershme me mjekun, bërejen e testeve gjenetike, shmangien e faktorëve të rrezikut, vaksinimin dhe përdorimin e masave parandaluese.

  1. Cilat janë disa prej ushqimeve më të mira për të zvogëluar rrezikun e kancerit?

Dietat e shëndetshme mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të kancerit duke ofruar antioksidantë, fibra dhe përbërës bioaktivë që luftojnë inflamacionin dhe mbrojnë qelizat. Ndër to mund të jenë: Frutat dhe Perimet e Pasura me Antioksidantë, ushqimet e pasura me fibra dhe me yndyra të shëndetshme, si dhe burimet e Omega-3.

  1. A ndihmon mos konsumimi i alkoolit dhe i duhanit në parandalimin e kancerit?

Po, mos konsumimi i duhanit dhe alkoolit është një nga mënyrat më të mira për të parandaluar kancerin dhe për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm. Duhani është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për shumë lloje të kancerit dhe përmban mbi 70 kimikate kancerogjene. P.sh. kanceri i mushkërive – shkaku kryesor i këtij kanceri është pirja e duhanit. Edhe tymi pasiv është i rrezikshëm, duke rritur rrezikun e kancerit për ata që ekspozohen ndaj tij.

  1. Si mund të kontribuojmë në parandalimin e kancerit duke u testuar rregullisht për skrining, sidomos për kancerët më të zakonshëm si ai i gjirit, i qafës së mitrës dhe i kolorektalit?

Skriningu i rregullt është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar kancerin ose për ta zbuluar atë në fazat e hershme, kur trajtimi është më i suksesshëm. Kanceri i gjirit mund të trajtohet më lehtë dhe me më pak komplikacione kur zbulohet herët. Rekomandime për skrining të gjirit janë:

Vetëkontrolli i gjirit: Gratë mund të bëjnë vetëkontroll çdo muaj për të identifikuar ndryshime të dyshimta (gunga, ndryshime në madhësi, skuqje).

  • Mamografia – Gratë 40-49 vjeç: Konsulta me mjekun përcakton nëse duhet të fillohet mamografia më herët. Gratë 50-74 vjeç: Rekomandohet të bëjnë mamografi çdo 1-2 vjet.
  • Rezonanca magnetike e gjirit: Për gratë me rrezik të lartë (p.sh., histori familjare ose mutacione gjenetike si BRCA1/2) rekomandohet.

Skrining i qafës së mitrës:

  1. Testi PAP (Papanikolau) – Identifikon ndryshimet qelizore në qafën e mitrës që mund të jenë të parakancerizuara ose kanceroze.
  2. Testi HPV (Human Papillomavirus) – Teston për prani të viruseve HPV me rrezik të lartë, të cilët mund të shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës. Rekomandohet për gratë nga mosha 21-65 vjeç. Nga 21-29 vjeç, zakonisht bëhet testi PAP çdo 3 vjet. Nga 30-65 vjeç, mund të bëhet testi PAP çdo 3 vjet ose kombinimi i PAP + HPV çdo 5 vjet.

Për të rriturit me rrezik mesatar:
Fillimi i skriningut zakonisht në moshën 45 vjeç. Vazhdimi deri në moshën 75 vjeç. Pas 75 vjeç, skriningu bëhet në bazë të shëndetit të përgjithshëm dhe pritshmërive të jetës. Për personat me rrezik të lartë (histori familjare, sëmundje inflamatore të zorrëve, polipe të mëparshme, sindroma gjenetike si Lynch ose FAP) skriningu mund të fillojë më herët se 45 vjeç. Testimi bëhet më shpesh, sipas rekomandimit të mjekut.

Opsionet e skriningut:

  1. Koloskopia (çdo 10 vjet) – Testi më i saktë, identifikon polipet dhe lejon heqjen e tyre gjatë procedurës.
  2. Sigmoidoskopia fleksibile (çdo 5 vjet) – Ekzaminon vetëm pjesën e poshtme të zorrës së trashë.
  3. Testet e jashtëqitjes: Testi i gjakut okult fekal (FOBT) ose testi imuno-kimik fekal (FIT) (çdo vit) – Zbulon gjak të fshehur në jashtëqitje. Testi i ADN-së fekale (çdo 3 vjet) – Identifikon ndryshime gjenetike në qelizat e hedhura nga zorra.
  4. Kolonoskopia virtuale (çdo 5 vjet) – Një skanim i zorrës me anë të imazherisë (CT).

7. Çfarë roli ka rritja e ndërgjegjësimit për vaksinimin kundër viruseve që shkaktojnë kancer, si për shembull HPV për kancerin e qafës së mitrës?

Rritja e ndërgjegjësimit për vaksinimin kundër viruseve që shkaktojnë kancer, si p.sh.: HPV (Human Papillomavirus) për kancerin e qafës së mitrës, ka një rol kyç në parandalimin e sëmundjeve malinje dhe përmirësimin e shëndetit publik.

Me këtë arrihet vaksina kundër HPV që mbron nga llojet e virusit që shkaktojnë shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës, si dhe nga disa lloje të tjera të kancerit (anusit, gojës, fytit, vulvës dhe penisit). HPV gjithashtu shkakton lythat gjenitale, të cilat mund të shmangen me vaksinim.

Edukimi i popullatës për rëndësinë e vaksinimit – Shumë njerëz nuk janë të informuar mbi lidhjen midis HPV dhe kancerit, prandaj fushatat e ndërgjegjësimit ndihmojnë në shpërndarjen e informacionit të saktë. Heqja e miteve dhe frikësimit rreth vaksinave është thelbësore për të rritur përqindjen e vaksinimit.

Rritja e mbulimit të vaksinimit në grupmoshat e synuara – Rekomandohet që vajzat dhe djemtë të vaksinohen nga mosha 9-14 vjeç, para ekspozimit ndaj virusit. Vaksinimi është efektiv deri në moshën 26 vjeç dhe në disa raste mund të aplikohet edhe më vonë. Ulja e barrës së kancerit në sistemin shëndetësor.

Me më pak raste kanceri të shkaktuara nga HPV, ka më pak nevojë për trajtime të shtrenjta si kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia. Kjo ndihmon në uljen e ngarkesës për sistemet shëndetësore dhe përmirëson cilësinë e jetës së individëve.

Përmirësimi i barazisë në shëndet – Rritja e ndërgjegjësimit dhe vaksinimit ndihmon në reduktimin e pabarazive, veçanërisht në vendet ku qasja në skrining dhe trajtim mund të jetë e kufizuar.

  1. Si mund të edukojmë komunitetin dhe të rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë e parandalimit të kancerit?

Edukim i komunitetit dhe rritja e ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit janë hapa të rëndësishëm për zbulimin e hershëm të kancerit, duke e bërë më të lehtë trajtimin, uljen e numrit të rasteve të kancerit përmes parandalimit, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e barrës shëndetësore dhe ekonomike. Të gjitha këto do të arriheshin me:

  • Fushata informuese në shkolla, spitale dhe media sociale;
  • Pjesëmarrja e profesionistëve të shëndetësisë në edukimin e prindërve dhe të rinjve;Mbështetje nga politikat shëndetësore, përfshirë ofrimin e vaksinës falas ose me kosto të ulët;Promovimi i një stili jetese të shëndetshëm;
  • Përdorimi i teknologjisë dhe inovacionit: Aplikacione dhe faqe interneti që ofrojnë informacione mbi parandalimin e kancerit dhe kujtesa për skrining dhe Platforma virtuale për konsultime mjekësore për ata që kanë akses të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë