Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë që është edhe infektolog me profesion, Izet Sadiku, thotë se vaksina nuk ofron mbrojtje 100% kundër coronavirusit.
Sadiku në RTV Dukagjini megjithatë thotë se vaksina është mbrojtja më e mirë kundër oronavirusit dhe formave të rënda të sëmundjes.
“Tash kemi rreth 30 mijë raste aktive dhe vetëm rreth 100 persona janë të hospitalizuar. Vitin e kaluar ndoshta kemi pasur shumë më pak raste aktive por kemi pas mbingarkesë në spitale”, deklaroi Sadiku, përcjell Telegrafi.
Sadiku ka treguar edhe një rast personal për efektin e dozës së tretë të vaksinës.
“Javën e kaluar kemi pasur dy fëmijët pozitiv me coronavirus. Bashkë me bashkëshorten e kemi ditur që ata janë pozitiv por nuk është se jemi ruajtur nga ta. Për shkak se kemi pasur edhe dozën e tretë të vaksinës ne nuk jemi infektuar. Kjo tregon efektshmërinë e vaksinës”, deklaroi tutje infektologu.
Ai thotë se në Kosovë pak njerëz ka të imunizuar me dozën e tretë.
“Vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë në dhjetor konsiderohen të imunizuar pasi që ata që janë vaksinuar në janar e këndej ende mund të mos kenë fituar imunitet. Mirëpo edhe ata që marrin dozën e tretë të vaksinës nuk kanë mbrojtje 100% ndaj Omicronit. Nëse 100 persona marrin dozën e tretë, gjasat janë që 25 të infektohen, por ata do ta kalojnë shumë lehtë sëmundjen”, deklaroi tutje Sadiku./Telegrafi/