Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Identifikimi i variantit Delta Plus në Kosovë, doza e tretë e vaksinës çështje ditësh

Më 10 nëntor në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se kanë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të Coronavirusit.

Këto raste janë identifikuar nga 59 mostra të analizuara në një laborator në Gjermani.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, varianti Delta vazhdon të jetë dominues në Kosovë, megjithatë “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”.

Ndërsa, vendimi për dozën e tretë dhe dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 pritet të merret shumë shpejt edhe në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë për Albanian Post.

“Është çështje ditësh marrja e vendimit, pasi Komiteti për imunizimin e popullatës kundër COVID-19 e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë”, ka thënë MSH-ja për AP.

Edhe më 3 shtator, MSH-ja në një përgjigje me shkrim për AP kishte thënë se do të ketë dozë të tretë të vaksinimit në Kosovë.

“Rekomandimi i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, është që të ketë vaksinim edhe me dozën e tretë në Kosovë, atëherë komision veç se do të fillojë negociata me kompaninë me të cilën kemi kontratë”.

Mikrobiologu Lul Raka, përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook, kishte shpjeguar dozat shtesë të vaksinave anti-Covid.

“Dozat përforcuese u jepen personave të shëndoshë, të cilët e kanë përfunduar serinë primare të vaksinimit dhe kanë zhvilluar përgjigje të mirë imunitare. Ky imunitet mund të ulet me kalimin e kohës, prandaj doza përforcuese jepet për ta “përforcuar” imunitetin”, shkroi Lul Raka.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj në një prononcim për Albanian Post deklaroi se aktualisht në Klinikën Infektive janë vetëm tre pacientë të shtrirë.

“Në Klinikën Infektive kemi vetëm tre pacientë të shtrirë me Coronavirus, dy janë në gjendje më të rëndë, kurse njëri ka gjendje të mirë shëndetësore”, thotë Vishaj.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Por, sa i përket dërgimit të mostrave të variantit Delta Plus nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) në Gjermani, ai thotë se nuk kanë qenë të informuar.

“Sa i përket variantit Delta Plus këto janë mostra të cilat janë mbledhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ne nuk kemi pasur një raport nuk e dimë se ku i kanë marrë”.

Ai shton se, “janë institutet rajonale të cilat i kanë mbledhur dhe e kanë bërë një përzgjedhje të mostrave të cilat i kanë dërguar në Gjermani”.

Çfarë është varianti Delta Plus i COVID-19?

Kryetarit i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani i pyetur nga Albanian Post sqaron se çka është ky variant dhe cilat janë rreziqet që mund të sjell përhapja e këtij varianti në Kosovë.

“Varianti Delta Plus vjen nga India dhe është paraqitur në shumë vende të botës si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kinë, Rusi, Poloni, Zvicër, e gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se ky variant është paraqitur edhe në Kosovë”.

Por, thotë se nuk mund të ketë ndonjë rrezikshmëri më të lartë nga ky variant se variantet paraprake.

“Varianti Delta Plus është i ngjashëm pothuajse si varianti Delta. Ende nuk janë gjetur tipare që ky variant mund të jetë me agresivitet të rëndë epidemiologjik mbetet të shikohet në ditët që vijnë”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

“Shkencëtarët po e monitorojnë variantin e lidhur me Deltan – që njihet si AY.4.2 – për të parë nëse ai mund të përhapet më lehtësisht apo mund të jetë më vdekjeprurës sesa versionet e mëparshme të COVID-19”, shprehet Ramadani.

Ndërsa, bën të ditur se ky variant i ka dy mutacione.

“Delta Plus i ka dy mutacione në proteinën gjembore, që i ndihmojnë COVID-19 të pushtojë qelizat e trupit. Këto ndryshime janë parë gjithashtu edhe në versionet e tjera të virusit, prej kur ka filluar pandemia, por nuk kanë shkuar larg”.

Cilat janë paqartësitë rreth variantit Delta?

Në një raport të publikuar nga “The Lancet”, thuhet se shkencëtarët po punojnë që të mësojnë më shumë rreth variantit Delta, që thuhet se është dy herë më ngjitës se varianti fillestar i Coronavirusit. Megjithatë, ende ka shumë paqartësi nëse Delta shkakton sëmundje më të rëndë se variantet paraprake.

Sipas studimeve të kryera në Skoci dhe Kanada, të cilat i kanë cituar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara, Delta mund të rezultojë në hospitalizimin e personave të pavaksinuar, shkruan Yale Medicine.

Ilustrim: Delta Plus

Delta po ashtu shkakton simptoma të ndryshme nga variantet paraprake. Simptomat më dalluese të personave të prekur me variantin Delta janë kokëdhimbja, dhimbja e fytit, shkuarja e hundëve dhe temperatura.

Profesionistët shëndetësorë rekomandojnë që me qëllim që njerëzit të mbrohen nga Delta, duhet të vaksinohen plotësisht.

Situata epidemiologjike në Kosovë

Më 10 nëntor, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 14 persona të infektuar nga COVID-19 dhe asnjë të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 696 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 2 mijë e 413.

Që prej fundit të marsit, kur filloi fushata e imunizimit kundër COVID-19, në Kosovë janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës 744 mijë e 671.

Ndërkaq, me një dozë janë të vaksinuar 842 mijë e 794 persona. /Albanianpost.com

Youtube

Arkiva

Kategoritë