Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha sot se viti 2020 ishte i rëndë për shkak të pandemisë COIVD-19.
Haziri bëri të ditur se 96 qytetarë të kësaj komune e kanë humbur betejën me virusin, por tha se janë shpëtuar mijëra jetë.
“96 qytetarë e kanë humb betejën me COVID-19 dhe shfrytëzoj rastin që familjeve t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Por, mund të them se janë shpëtuar mijëra jetë nga mantel-bardhët në shëndetësinë primare dhe sekondare dhe nga menaxhimi i emergjencave civile. I falënderoj shumë profesionistët shëndetësorë, të cilët me orar të tej zgjatur të punës, kanë bërë punë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë”, tha Haziri.
Ai tha se sot është ditëlindja e Agon Musliut, i cili e humbi jetën tragjikisht në fillim të pandemisë.
“Kosova ka dështuar me zbardhë rastin dhe kjo mbetet njolla më e madhe e kësaj pandemie. Sot, për nder të tij, sot e përurojmë sallën e lexuesve ‘Agon Musliu’ në Bibliotekën e qytetit”, ka thënë Haziri.
Në këtë takim, po ashtu, u tha se pandemia ka shkaktuar një gjendje të rëndë për bizneset, gastronominë e industrinë, për t’u theksuar se me programet komunale, sidomos lirimi nga të gjitha qiratë për të gjithë ata kanë pasur marrëveshje kontraktuale me Komunën.
Haziri ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e mëhershme për të filluar menjëherë zbatimin e programeve në vitin vijues derisa ka shfaqur shpresën se në tremujorin e parë do të bëhet përgatitjet për vaksinim kolektiv anti-COVID-19.