Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Gjysma e të rinjve në Kosovë, të papunë

Papunësia në Kosovë është një nga sfidat kryesore edhe pas 13 vitesh pavarësi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2008 kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, shkalla e papunësisë ka qenë 45 për qind, ndërsa kjo shifër ka rënë ndër vite.

Në vitin 2012 në Kosovë, shkalla e papunësisë kishte rënë në 30,9 për qind, ndërsa në vitin 2013 ne 30 për qind.

Rritje të shkallës së papunësisë Kosova ka përjetuar në vitin 2014 kur ajo shkoi në 35,3 për qind për të vazhduar rënien në vitin 2015 në 32,9 për qind e pastaj në vitin 2016 në 27,5 për qind.

Në vitin 2017, shkalla e papunësisë sërish u rrit në 30,5 për qind, për të rënë sërish edhe më shumë në 29,6 për qind në vitin 2018 dhe në 25,7 për qind në vitin 2019.

Shkallën më të ulët të papunësisë Kosova e përjetoi në vitin që lamë pas kur 24,6 për qind e popullsisë u regjistruan si të papunë, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë raporti me vitin 2021 si vit i krizës shëndetësore me pandeminë COVID-19 e cila reflektoi edhe në krizë ekonomike që u përkthye në humbje të vendeve të punës.

Mirëpo numri i të rinjve të papunë në Kosovë mbetet tejet i lartë.

Sipas një grafiku të prezantuar nga Radio Evropa e Lirë, që iu referohet të dhënave nga Këshilli për bashkëpunim rajonal, Kosova prinë në Ballkan sa i përket numrit të të rinjve të papunësuar.

Sipas këtyre të dhënave në Kosovë 49.1% e të rinjve të moshës nga 15-24 vjeç janë të papunë.

Kosova pasohet nga Bosnja me shkallë të lartë të papunësisë tek të rinjtë me 36.6%.

Vlen për t’u theksuar se Shqipëria qëndron më së mirë në Ballkanin Perëndimor sa i përket punësimit të të rinjve.

Pavarësisht këtyre statistikave, numri i të papunëve në Kosovë mund të ndryshojë edhe për shkak se në disa sektorë shkalla e informalitetit është më e lartë dhe punëtorëve nuk iu paguhet trusti dhe nuk kanë kontrata të rregullta pune.

Youtube

Arkiva

Kategoritë