Die, Gus 1, 2021
Banner Top
Banner Top
Gjobiten 500 mjekë në Maqedoni, dhanë receta për sëmundje specifike

Për shkak që nuk ka personel të mjaftueshëm të specializuar në qytetet më të vogla të vendit, ndodh që mjekët familjar si dhe specialistët e një fushe tjetër mjekësore të përshkruajnë ilaçe për sëmundje që nuk janë specialitet i tyre.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore thotë se kjo paraqet kundërvajtje dhe gjobitet me të paktën 15 mijë denarë për një recetë të lëshuar nga mjeku joadekuat. Rreth 500 mjekë të familjes kanë paralajmëruar ankesë në Fondin e Shëndetësisë, pasi të njëjtit tashmë janë dënuar për shënime të barnave për të cilat nuk janë specialistë.

Fondi Shëndetësor ka konfirmuar ankesat, ndërsa informojnë se do të pranohen vetëm ato për të cilat ekziston bazë ligjore.

“Nuk ka të bëjë fare me faljen e ndëshkimeve. Ne nuk konsiderojmë se mjekët ndëshkohen në mënyrë të paligjshme. Sidoqoftë, ankesat do të shqyrtohen nga një Komision i shkallës së dytë dhe nëse është një gabim teknik, do të merret parasysh, por jo për të gjithë si parazgjedhje, por për ata që kanë arsye. Sepse ligjërisht, nuk kemi të drejtë të falim gjoba”, deklaron Irfan Limani nga departamenti i komunikimeve në Fondin Shëndetësor.

Megjithatë, në mbështetje të mjekëve ka dalë Shoqata e Mjekëve Privat. Lilija Cholakova Dervishova, kryetare e kësaj shoqate, thotë se “gabimet” mjekët e familjes i bëjnë për shkak të ngarkesës së tepërt të punës në kujdesin primar shëndetësor, si dhe për shkak të mungesës së personelit adekuat në qytete dhe vendbanime të shumta të vendit.

“Gjobat janë që pesë vitet e fundit dhe i referohen lëshimeve teknike. Për shkak se nuk ka personel të mjaftueshëm të specializuar në qytetet më të vogla, ndonjëherë ndodh që mjekët e familjes ose specialistët e një fushe tjetër të përshkruajnë ilaçe. Për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është kundërvajtje dhe gjobitet me të paktën 15 mijë denarë për recetë të lëshuar si kjo. Megjithatë, nga ngarkesa e madhe e mjekëve, si atyre amë por edhe specialistëve të paktë, ndodhë kjo që ndodhë”, thotë Cholakova Dervishova.

Ajo merr shembull Negotinën, qytetin pa një urolog. “Ndodh që një internisti të përshkruajë ilaçe, sepse nuk ka urolog, në Negotinë për shembull. Pra, ilaçi ishte përshkruar për pacientin siç duhej, por specialisti nuk ishte adekuat. Ose, ilaçin ‘Mendilex’ e ka shkruar psikiatër, ndërsa i njëjti duhet të firmoset nga neurolog. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në brendësi të Maqedonisë ka mungesë të urologëve, mikrobiologëve, psikiatërve, internistëve. Në çdo qytet ka mungesë të një specialisti”, thekson Cholakova Dervishova.

Pas revoltës së hapur të mjekëve të gjobitur, edhe realizuar edhe një takim mes tyre dhe zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo e fundit thonë shkurt se në këtë takim është diskutuar për të rritur funksionalitetin dhe për të përmirësuar kushtet e punës së mjekëve të familjes. Mjekët e familjes nga ana tjetër kanë kërkuar që, të njëjtëve t’u lejohet përshkrimi i ilaçeve edhe për sëmundje që nuk janë kompetencë e tyre, por që janë në listën e sëmundjeve, me qëllim të mos i dërgojnë pacientët në kujdesin terciar, me çka do të krijohej tollovi në spitalet kryesore. Ata gjithashtu kanë sugjeruar që rekomandimet e specialistëve për ilaçe të caktuara të vlejnë përgjithmonë dhe jo për çdo muaj./Koha.mk/

Arkiva

Kategoritë