Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
Gjërat e bukura që ndodhin kur bëheni baba

Tor Constantino, ish-gazetar dhe shkrimtar italian, ka vendosur të tregojë se cilat janë gjërat më të bukura që përjeton një mashkull kur bëhet baba.

Web faqja “Good man project” e bën mbledhjen e historive dhe momenteve më interesante të jetës së meshkujve. Bëhet fjalë për një lloj komuniteti ku meshkujt mund të bëhen pjesë e tij, duke qenë aktivë në biseda si psh: si po ndryshojnë rolet e tyre në jetën moderne dhe si i shohin ata këto ndryshime.

Ndër ta ishte edhe historia e gazetarit italian, gjesti i të cilit u komentua për të mirë pasi që e dha “historinë e babait të ri”, nga këndvështrimi i një mashkulli me karrierë, por edhe me kohë të ngarkuar, transmeton netdoktori.
 

Do të jenë gjithmonë fëmijët tanë

“Kam dashur gjithmonë që të kem fëmijë dhe të bëhem baba. Gruaja ime dhe unë jemi bekuar me tre fëmijë që aktualisht janë nën 13 vjeç, dhe teknikisht janë ende fëmijë. Megjithatë, pas pak vitesh për dy më të mëdhenjtë do të fillojnë problemet e adoleshentëve. Por, edhe pse kur të rriten dhe t’i kenë familjet e tyre, për ne do të mbeten gjithmonë fëmijët tanë …”
 

E di kush janë

“Njoh shumë baballarë që kanë nevojë të kalojnë kohë vetëm ose të dalin mbrëmjeve me miqtë për t’i ‘ekuilibruar’ përgjegjësitë që kërkon një familje. Megjithatë, burrëria jonë varet edhe nga fëmijët tanë: ata më ndihmojnë të kuptoj se kush jam, sepse identiteti im është aq shumë i ndërthurur me të tyrin, saqë është e vështirë ta përcaktojë se kush jam pa ta”.
 

Bëhem sërish i ri

“Pyetja që më pëlqen të dëgjoj më shpesh nga fëmijët e mi është: ‘Babi mund të luash me mua?’ … Kur më drejtohet kjo pyetje, mundohem të gjej një mënyrë që ta braktis atë që po bëj dhe të luaj me ta sikur të isha në moshën e tyre. Me thënë të vërtetën, në zemrën time ndihem ende si një fëmijë edhe pse mosha, dhembjet e vogla dhe ndonjë avari fizike, më thonë të kundërtën. Gjithsesi, duke luajtur me fëmijët e mi them se po më zgjatet rinia, qoftë edhe për një moment të vetëm. Plus që kjo mënyrë është më tonifikuese për trupin sesa një terapi yoga …”
 

Dua të jem një mashkull më i mirë

“Mund të them me plot bindje se tashmë jam një mashkull më i mirë sesa isha ‘dje’, përpara se të bëhesha baba. U deshën vite (dhe ende po punoj) që pjesa më e madhe e anëve negative që kisha të zhdukeshin. Më parë isha më egoist, arrogant, vulgar, i keq, i pandjeshëm, ofendues, manipulues dhe hakmarrës. Por sot, mund të them ndershmërisht se jam një mashkull më i mirë falë familjes sime”.
 

Jam më i përqendruar te principet dhe te vlerat

“Ju pëlqen ose jo, prindërit duhet të injektojnë vlera, moral dhe principe te fëmijët, jo vetëm për të mirën e tyre, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Sapo fëmijët të bëhen mjaftueshëm të rritur për të ndjekur këtë rrugë, duhet të jini të sigurt se ata do të mbajnë të njejtin standard që ju do t’ia mësoni. Unë nuk jam perfekt, por fëmijët e mi më kujtojnë se kam nevojë që të jem më i miri për ta”.
 

Çdo moment kalon shumë shpejt

“Kujtimet janë diçka esenciale, por nuk do të jenë kurrë të ngjashme me të tashmen: jetesa e përditshme me fëmijët e mi ma kujton gjithnjë këtë fakt. Tashmë që janë ende fëmijë, kam dëshirë që t’i përqafoj fort, që të qesh pak më shumë, të këndoj një tjetër këngë dhe të lexoj një tjetër libër përpara se të shkoj në shtrat, sepse secili nga këto momente të çmuara do të bëhet një kujtim. Dhe në fakt, duke menduar për pasazhin e tyre drejt pavarësisë, zemra nga një anë më mbushet me lehtësi, por, nga ana tjetër, provoj një ndjenjë të humbje”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë